Lajme

Asociacioni i Komunave pritet ta dërgojë Ligjin për Tatimin në Pronë në Kushtetuese


Ilustrim

Asociacioni i Komunave të Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se do të dërgojë Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

Në njoftimin e publikuar nga AKK thuhet ndër të tjera se Ministria e Financave mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme pa e konsultuar fare Komunat e Kosovës.

“Ministria e Financave e dërgoi për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë projekt ligj pa konsulta me Komunat. Qeveria e miratoi si të tillë dhe e procedoi për miratim në Parlamentin e Republikës së Kosovës. AKK-ja edhe në këtë rast ka kërkuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës që të ketë debat dhe konsultime me Komunat sa i përket këtij Projekt Ligji sepse ka të bëj me autonominë financiare të Komunave dhe i cili ligj ka impakt të drejpërdrejtë në buxhetet e tyre e së këndejmi edhe në projektet kapitale sepse tatimi në Pronë është e hyrë vetanake e Komunave. As Parlamenti i Kosovës nuk e diskutoj këtë projekt ligj me Komunat dhe më procedura të përshpejtuara e miratoi edhe në lexim të dytë”, thuhet në sqarimin e tyre.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës me miratimin e Ligjit në fjalë Komunat e Kosovës do të humbasim me dhjetëra miliona euro.

“Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku thuhet që palët e autorizuara për ngritjen e rasteve në Gjykatë janë edhe Komunat, atëherë Bordi i AKK-së duke marr parasysh që komuna si Institucion shtetëror është e autorizuar që të kontestojë kushteturtshmërinë e ligjeve dhe akteve ligjore, i rekomandon komunat që ta dërgojnë këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e tij Kushtetues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore