Lajme

Asociacioni i Komunave pas takimit me Osmanin: Greva të zhbllokohet me dialog


Agim Aliu dhe Sazan Ibrahimi

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, pas takimit që ka pasur me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se greva duhet të marrë fund dhe të fillojë dialogu mes palëve.

Sipas tij komunat në këtë rast nuk janë palë, por janë ato që po e paguajnë çmimin pasi edhe administratat komunale janë në grevë.

“Çështja pse s’ka filluar mësimi është çështja e grevës dhe diskutimi që patëm me presidenten ishte se epilogu të jetë përfundimi i grevës por ky përfundim i grevës nuk mund të bëhet nëse nuk do të ketë bisedime mes palëve”, ka thënë Aliu

Sipas Kryetarit të Komunës së Ferizajt, lista e pagave për muajin gusht i kanë dërguar më 10 gusht, ndërsa më 10 shtator do të dërgojnë listat e pagave për muajin shtator.

“Koncentrimi i të gjithë neve më shumë se te këto masa, te kërkimi i fajtorit duhet të koncentrohet te qëllimi, ndalja e grevës. Ne i kemi dorëzuar listat dhe do t’i dorëzojmë sërish, por i dorëzojmë në afatet ligjore. Afati ligjor ka qenë 10 gushti tash do të jetë 10 shtatori dhe ne do t’i dorëzojmë listat”.

“Greva duhet të zhbllokohet me dialog, i cili po mungon. Prandaj, thirrja e kryetarëve të komunave në mbledhjen e para dy ditëve ka qenë dialogu. Sot ishte edhe thirrje e presidentes dhe të gjithë duhet ta kuptojmë këtë zë të arsyes”, është shprehur Aliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore