Lajme

Asnjë kosovar nuk është lënduar nga aksidenti në Kroaci, konfirmon MPJD-ja


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nëpërmjet një komunikate për media në mbrëmje, konfirmoi se në bazë të informacioneve momentale, asnjë kosovar nuk është lënduar nga aksidenti që ndodhi të mërkurën rreth orës 18:00 në afërsi të qytetit të Dubrovnikut në Kroaci, ku është përfshirë një autobus me rreth 30 udhëtarë nga Kosova.

“Asnjë nga udhëtarët nuk duket të jetë lënduar dhe as të ketë kërkuar ndihmë mjekësore. Informacionet rreth këtij aksidenti do t’i përditësojmë sapo të kemi të dhëna më të detajuara nga organet kompetente kroate”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar për shtyp nga diplomacia kosovare për rastin e aksidentit të rëndë në vendin e quajtur Orashac.

Në bazë të raportimeve të mediave lokale në Kroaci, në aksident trafiku janë përfshirë një autobus, një kamion dhe një veturë pasagjerësh, ndërsa jo-zyrtarësisht është bërë e ditur se në këtë aksident trafiku humbi jetën një qytetar nga Dubrovniku, ndërsa dy persona të tjerë janë lënduar.

Për aksidentin e autobusit të linjës Kosovë-Gjermani reagoi edhe kompania kosovare “Deva Tours” nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën. Përderisa shkaku i aksidentit dhe bilanci zyrtar i aksidentit nuk dihet ende, kompania njoftoi se pasagjerët dhe stafi shpëtuan pa lëndime, ndërsa vazhduan udhëtimin drejt Gjermanisë përmes një autobusi tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore