Lajme

ASK: Nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 mijë e 811 familje


Ilustrim

Agjencia e Statistikave e Republikës së Kosovës (ASK), ka nxjerrë një raport me statistika ku thuhet se, gjatë muajit shkurt të këtij viti nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 mijë e 811 familje me gjithsej 102 mijë e 333 anëtarë.

Ndërsa nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar gjithsej 2 mijë e 431 familje.

Në raportit thuhet gjithashtu se nga skemat pensionale të pensioneve bazë të moshës, kanë përfituar 148 mijë e 20 persona, ndërsa nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 mijë e 746 përfitues.

ASK tutje bënë të ditur se nga skema për pensionet familjare kanë përfituar gjithsej 3 mijë e 506 persona.

Nga skema për pensionet invalidore 69 përfitues, ndërsa nga skema për pensionet e Trepçës gjithsej 1 mijë e 990 përfitues.

Nuk janë vetëm këto kategori të përfituesve nga skemat sociale. Përfitues të pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës  për muajin janar-shkurt ishin 1 mijë e 233 persona, ndërsa nga Forca e Sigurisë së Kosovës ishin gjithsej 630 përfitues.

Po ashtu, përfitues kishte edhe nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, përkatësisht 13 mijë e 250 persona, kurse 37 mijë e 15 persona ishin përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Nga skema e kompensimeve për personat e verbër për periudhën janar – shkurt të këtij viti ishin edhe 1 mijë e 725 persona të verbër dhe 17 mijë e 737 persona me aftësi të kufizuara.

Sipas ASK-së nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik kanë përfituar gjithsej 2 mijë e 697 persona.

ASK bazuar në planin vjetor të statistikave zyrtare 2022, për “Statistikat e Mirëqenies Sociale” tani më do të publikoj statistikat në baza mujore e jo siç publikonte deri më tani çdo tre muaj.

Në Kosovë janë braktisur 4 fëmijë gjatë muajve janar – shkurt, thuhet në raportin e ASK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore