Bota

Arratisja e mahnitshme nga Kabuli – Si 6 shokë shpëtuan miken e tyre nga talebanët?


Të gjashtë miqtë ishin aventurierë. Ata kishin zgjedhur të linin shtëpitë për t’i kaluar dy vitet e fundit të shkollës në United World College (UWC) në Mostar, Bosnje dhe Hercegovinë. Aty do të njiheshin me Haseen Fatima Amini.

Por, pasi talebanët po përparonin në të gjithë vendin e saj, Amini kërkoi ndihmën e tyre për t’u larguar nga aty.

Për të arritur qëllimin e tyre, nga gjashtë vende të ndryshme të botës, gjashtë miqtë, të shpërndarë në Evropë dhe Azi, përdorën WhatsApp-in për të kominikuar.

E lindur në pakicën Hazara të Afganistanit, Amini është një avokate e hapur për të drejtat e grave.

19-vjeçarja identifikohet gjithashtu si një myslimane shiit. Ajo, pasi ishte arsimuar, punonte si vullnetare në Ambasadën Amerikane në Kabul dhe, shpesh, kishte kritikuar publikisht talebanët.

Të gjitha këto janë arsye për t’u frikësuar nga talebanët.

Në fillim të këtij viti, Amini dhe vëllai i saj 17-vjeçar morën viza për Pakistanin, por ata, si të gjithë të tjerët, u befasuan nga shpejtësia e përparimit të talebanëve.

Dy javë më parë, të shtunën e 14 gushtit, ajo kërkoi ndihmë.

Lola Sweeney në Singapor, Lea Casucci në Itali dhe Carlos Valverde në Spanjë, të cilët përfunduan shkollën në fillim të këtij viti, iu përgjigjën thirrjes.

Po kështu, edhe Pablo Chabalier në Francë, David Busley në Gjermani dhe Maj Mis në Slloveni, të cilët u larguan një vit më parë.

Fillimisht, ata u përpoqën të grumbullonin para të mjaftueshme për të blerë bileta për Aminin dhe familjen e saj dhe dy vëllezërit për një fluturim në Pakistan.

Ata bënë gjithçka gati, por gjatë natës kushtet u përkeqësuan.

Ishte e qartë se talebanët do ta merrnin Kabulin shumë më shpejt nga ç’mendohej. Të nesërmen, të dielën, grupi i shokëve i kërkoi Amini-s që, së bashku me nënën dhe dy vëllezërit, të linin shtëpinë dhe t’i drejtoheshin Aeroportit të Kabulit (30 kilometra larg nga vendbanimi i tyre).

Teksa taksia përshkoi Kabulin, Amini pa njerëz, të cilët bënin selfie me talebanët.

Kur iu afruan aeroportit, trupat britanike i larguan ata: nuk kishte rrugëdalje.

Miqtë folën sërish përmes WhatsApp-it.

“Çfarë tjetër?”

Ata i thanë Aminit se ajo duhet të qëndronte sa më afër aeroportit, kështu që iu drejtuan xhaxhait të saj, i cili banonte aty pranë.

Disa orë më vonë, biletat e aeroplanit u anuluan. Nuk do të kishte më fluturime komerciale jashtë Kabulit.

Më 24 gusht, Haseen Amini dhe familja e saj, me ndihmën e kontakteve amerikane dhe kanadeze të miqve të saj, morën leje për të hipur në një aeroplan ushtarak spanjoll.

Po sikur kufiri tokësor i Pakistanit të ishte alternativa më e mirë?

Por, jo të gjithë mund të hipnin në atë aeroplan. Miqtë i thanë Aminit se ishte e pamundur, pasi vëllait të saj 17-vjeçar dhe nënës u duheshin viza. Kjo do të thoshte se ajo duhet të merrte një vendim. Amini e diskutoi me familjen e saj.

Ata ranë dakord që, nëse ajo mund të dilte, ajo duhet ta bënte, edhe nëse kjo do të thoshte t’i linte të tjerët prapa.

Për “The Australian Financial Review”, në një intervistë me Zoom, me të gjithë grupin që buzëqeshi përkrah saj në ekran, të regjistruar nga qytetet e tyre përkatëse ajo deklaroi, “miqtë e mi? Secili është një diamant”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore