Lajme

“Armët e Turqisë do t’i jepnin Kurtit më shumë hapësirë për manovrime”


Albin Kurti

Reuf Bajroviç, analist politik boshnjako-amerikan i cili aktualisht është nënkryetar i organizatës që merret me ruajtjen dhe promovimin e Aleancës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Evropës në Uashington, ka konsideruar se Turqia mund të qëndrojë prapa Qeverisë së Kosovës duke siguruar armë më të avancuara për të forcuar pozicionin e saj.

Në një ese të botuar në institutin amerikan për Strategji dhe Politika “New Lines i cili të martën ka lansuar programin analitik “Observatori i Ballkanit Perëndimor”, ai ka shkruar mbi rolin e Turqisë në vendet me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë, posaçërisht në fushën e mbrojtjes.

Bajroviç ka shkruar se blerja e dronëve të prodhimit turk “Bayraktar (Flamurtar) TB-2” nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të lexohet si përpjekje për të frenuar mësymjen e Serbisë në cenimin e sovranitetit të Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe, porse sipas tij, kjo nuk i ka pëlqyer SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian (BE).

“Turqia mund të qëndrojë prapa Kurtit duke siguruar armatim të avancuar për të shfrytëzuar fuqishëm pozicionin e tij, duke i dhënë Kosovës mbështetje për mbrojtjen e saj territoriale, një barrë që mbartet nga SHBA-ja dhe BE-ja nëpërmjet misionit të KFOR-it. Kurti, nga ana tjetër, do të kishte shumë më tepër hapësirë për të manovruar nëse mbrojtja e vendit s’do të varej nga SHBA-të”.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Kurti kishte prezantuar dronët më 16 korrik së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, derisa kishte deklaruar se “Kosova tash është edhe më e sigurt” dhe se tanimë oficerët e FSK-së kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

Autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për numrin apo çmimin e dronëve e as kur kanë arritur në Kosovë, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka ndodhur në muajin maj pak para stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023” me shtetet e NATO-s, nga të cilat Kosova ishte përjashtuar për shkak të situatës në veriun e saj të banuar me serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore