Shqipëria

Apeli vulos fatin e Belerit, dënohet me dy vjet burg


Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vulosur fatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i cili dënohet me dy vjet burg për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Ky dënim tashmë teknikisht duhet t’i hapë rrugë edhe nisjes së një procesi të ri për zgjedhjet në Himarë, pasi për shkak të vendimit të formës së prerë, Beleri nuk mundet ta mbajë më këtë pozitë.

Por, çështja mbetet ende e ndërlikuar për këtë rast, pasi duhet kujtuar se Beleri është zgjedhur edhe si eurodeputet nga radhët e forcës politike greke Demokracia e Re e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian dhe në kushte normale, Belerit do t’i duhet të vuajë dënimin në Shqipëri, përpara se të marrë mandatin në Bruksel.

Kjo megjithatë nuk e ndalon Bashkimin Evropian që të kërkojë zgjidhje alternative për të dhe të bëjë që ai të lërë qelinë më shpejt se sa përmbyllja e dënimit.

Në mënyrë faktike, Beleri ka diçka më shumë se një vit i arrestuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pjesa e mbetur e dënimit i përket një periudhe po aq të gjatë.

Njëkohësisht, më 17 qershor, Beleri ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për çështjen e tij.

Avokatët e tij pretendojnë se Prokuroria e Vlorës dhe ajo e Posaçme keqpërdorën çështjen e dëshmisë së penalitetit. Vetëm disa ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi sërish kërkesën e Belerit, i cili pati kërkuar që të lejohej të betohej përmes një rekursi, por Gjykata nuk e pranoi atë.

Më 16 prill ndërkaq, u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ku argumentohet se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendojnë se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e thekson se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-11-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalet edhe te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen  e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me këqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Më tej, thuhet se në çdo rast palët, edhe gjatë gjykimit në themel, mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime.

Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialian audio-video, kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore