Lajme

AP: Blerja e avionëve luftarakë nga Franca mund ta inkurajojë Serbinë që të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë


Aleksandër Vuçiç dhe Emmanuel Macron

Serbia dhe Franca kanë arritur të martën marrëveshje që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale.

Kështu të paktën ka bërë të ditur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas një takimi që ai ka zhvilluar në Paris me homologun e tij nga Franca, Emmanuel Macron.

Agjencia e lajmeve amerikane, Associated Press, në një artikull të kushtuar marrëveshjes për armatim në mes të Serbisë dhe Francës nënvizon faktin se shitja e avionëve luftarakë do të mund të inkurajonte Vuçiç-in që të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë.

Associated Press gjithashtu në artikullin në fjalë potencon se blerja e mundshme e avionëve Rafale, do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore të përbërë nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit rus.

“Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë, për Serbinë”, potencon artikulli.

Vuçiç bëri të ditur se kontratat për këto blerje do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm në prani të Macron.

Macron, gjatë një konference për media pas takimit me Vuçiç, tha se do të sigurohet që Kosova dhe Serbia të përmbushin çdo pikë të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa veçoi rëndësinë që të gjithë sulmuesit në Banjskë të Zveçanit të vihen para drejtësisë.

Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në terrorizmin e vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës të vihen para drejtësisë, ndërsa nga Kosova kërkoi që të respektojë të gjitha obligimet që burojnë nga dialogu, por edhe të sigurojë legjitimitet të plotë demokratik në katër komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore