Sport

Ancelotti: Urime për Milan-in, shpresoj të takohemi në finale


Real Madrid dhe Milan- janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

Trajneri i Real-it, Carlo Ancelotti, u shpreh i lumtur pasi ekipi i tij e eliminoi Chelsea-n, derisa pati edhe një dozë lumturie edhe për ish-klubin e tij, Milan-in, që e arriti këtë sukses.

“Milan-i bëri arritje të madhe, komplimente klubit dhe Maldinit. Por duhet komplimentuar edhe Napoli”, tha Ancelotti.

“Ata kanë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe do fitojnë titullin kampion me meritë. Napoli ka qenë skuadra më e mirë italiane në këtë sezon, do e provojë sërish sezonin e ardhshëm”, shtoi tekniku italian.

“Do të ishte ideale të përballeshim me Milanin në finale, por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Historia në këtë kompeticion ka rëndësi të madhe”.

“Pesha e fanellës ndikon, nuk është rastësi që Reali dhe Milani janë skuadrat që kanë fituar më shumë Champions League. Fitorja ndaj Chelsea? Vuajtëm, por na shpëtoi Courtois në pjesën e parë”.

“Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Ishim shumë të rrezikshëm në daljet në kundërsulme”, tha mes tjerash Carlo Ancelotti.

Kujtojmë që ekipi i tij e deklasoi Chelsea-n, duke e mposhtur në të dyja ndeshjet me rezultat 2:0.

Gjysmëfinalet do të kompletohen këtë të mërkurë ku do të luajnë Inter – Benfica dhe Bayern Munich – Manchester City.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore