Lajme

Ambasadori i ShBA-së në BeH: Dodik po provokon konfrontim me komunitetin ndërkombëtar


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, ka thënë se Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik, është në një rrugë shumë të rrezikshme dhe se po provokon një konfrontim me komunitetin ndërkombëtar në BeH.

“Është e pamatur, do të çojë në izolim ose një situatë edhe më të keqe për RS”, tha Murphy.

Ai pohoi se Dodik po e bën këtë duke u përpjekur të “shmang përgjegjësinë personale për veprimet e veta”, pavarësisht nëse kjo përfshin shkelje të Kushtetutës së BeH-së, keqmenaxhim të tij apo dështim në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në RS.

“Si e bën ai? Ai paraqitet si avatar i serbëve. Ai mendon se është princi Llazar dhe kërkon që të gjithë të shkojnë në fushën e Kosovës dhe të luftojnë për të dhe të sakrifikojnë për të… Por ai nuk zgjodhi mbretërinë e qiejve, ai vërtet zgjodhi të pasurohej në kurriz të popullit, ai bën thirrje për të dalë për ta mbrojtur atë, këtu – në mbretërinë tokësore”, shtoi ai, transmeton rrjeti ballanik i lajmeve “N1”.

Bosnian Serb leader Dodik charged over defying peace envoy's decisions |  Reuters
Millorad Dodik

Sipas tij, njerëzit në RS nuk marrin një qeveri të mirë nga e gjithë kjo, por një qeveri që shkel liritë e tyre themelore, si liria e medias, liria e tubimit dhe liria e fjalës.

Dodik, potencoi diplomati amerikan, vazhdimisht “po vendos teori të ndryshme të çmendura konspirative” dhe se “të gjithë të tjerët janë gjithmonë fajtorë për problemet që ai krijon”, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar nuk do të konkurrojë me të në këtë.

“As nuk do të hedhim baltë mbi njëri-tjetrin dhe nuk do të shkëmbejmë sharje me të. Është detyra jonë të mbrojmë sovranitetin, integritetin territorial dhe multietnicitetin e BeH”.

Murphy deklaroi se presidenti i RS-së “ka problem me veten, por edhe me ligjin”, duke theksuar se RS nuk do të shkëputet nga BeH.

Murfi mohoi se BeH është “në prag të luftës”, por paralajmëroi se komuniteti ndërkombëtar do të reagojë kur dikush minon Marrëveshjen e Dejtonit.

“SHBA, dhe as të tjerat, nuk do të shikojnë me qetësi nëse Dodik gris Dejtonin. Do të ketë reagime dhe pasoja për këdo që e bën këtë”, tha ai, duke shtuar se sanksionet janë të disponueshme, si dhe forcat e shtuara të EUFOR-it në BeH.

Dodik është duke vazhduar me veprime anti-Dejton, madje së fundmi ai ia ka marrë vendim që t’ia ndalojë hyrjen në Republikës Srpska Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt.

Dodik, për veprimet e tij, është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, teksa një gjë e tillë po kërkohet që ta bëjë edhe Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore