Lajme

Ambasadori i dyshuar për shpëlarje parash dhe publicisti i përfshirë në ryshfet për ndërtime pa leje në Brezovicë, takohen me ministrin e jashtëm kroat


Martin Berishaj dhe Veton Surroi

Njëri me rast të hapur nga Prokuroria Themelore e Kosovës për dhënien e ryshfetit në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë (Veton Surroi) e tjetri i përfolur si pjesë e një grupi që bën shpëlarje parash (Martin Berishaj), u bënë bashkë dhe vizituan Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë.

Ambasada e Kosovës në Kroaci, ku Martin Berishaj vazhdon ta ushtrojë funksionin e ambasadorit të Kosovës, njoftoi përmes Facebook-ut se Surroi e Berishaj u pritën nga ministri Gordan Grliq Radman me këshilltarët e tij.

Takimi, siç thotë njoftimi, është rreth asaj që fillimisht kishte njoftuar mediumi në gjuhën serbe Kosovo Online, se Surroi është kandidat për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

RCC është një organizatë e bashkëthemeluar nga Bashkimi Evropian që angazhohet për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e klimës politike, dialogut, pajtimit, tolerancës dhe hapjes drejt mundësive për bashkëpunim dhe integrim në Evropën Jug-lindore.

Martin Berishaj – ambasadori me katër shtetësi (Malit të Zi, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Kosovës) që gjatë muajit prill ishte i përfshirë në skandalin e shpëlarjes së parash si pjesë e një rrjeti që shkonte deri te kryeministri aktual slloven Robert Golob – njoftoi se Surroi – bashkëpunëtor i biznesmenit nga Shqipëria, Gentjan Sula, me të cilin është bashkëpronarë te kompania “Stella Consulting”, që po hetohet për ndërtime pa leje në zonën turistike të Kosovës – “shpaloi idenë e tij lidhur me kandidaturën për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në RCC”.

Berishaj – që përmes kompanisë së tij “MB Consulting” në Mal të Zi pranoi qindra mijëra euro nga kompania GEN-I, dega në Beograd – shtoi se parimisht kanë marrë përkrahje në takimin me Radman.

Në njoftimin e ambasadës gjithashtu thuhet se “pala kroate shprehu interesim për idetë e z. Veton Surroi”, por pa treguar se cilat ishin ato ide të të përfshirit në rastin tashmë të njohur si “Brezovica”, për të cilin policia e Kosovës ka arrestuar disa persona.

Surroi për këtë pozitë është propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore