Kosova

Ambasadori francez: Për shkak të masave ndëshkuese u desh ta bllokonim ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza në Prishtinë


Jorn Rohde dhe Olivier Guerot

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, për shkak të mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të shtensionuar situatën në Veri të Kosovës, kanë filluar të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Më 29 qershor, një ditë pas kumtimit të lajmit për vendosjen e masave ndëshkuese nga ana e Unionit, Kosova supozohej të pranonte një grant nga BE-ja përmes së cilit do të financohej projekti i zhvilluar nga Franca për ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza në Prishtinë dhe komunat përreth.

Kështu të paktën bëri të ditur ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, në një intervistë për Klan Kosova, duke shtuar se projekti në fjalë, i cili në këtë fazë është pezulluar, po mbështetej edhe nga shteti gjerman, pasi kjo e fundit do t’i ndërtonte gypat që do të dërgonin ujërat e zeza në këtë impiant.

“Projekti nuk është duke u diskutuar, pra granti nuk është aprovuar dhe më vjen shumë keq për këtë. Është bërë shumë punë për këtë projekt nga Franca në bashkëpunim me qeverinë aktuale të Kosovës dhe gjithashtu me qeveritë e kaluara për qytetarët e Kosovës. Mezi po pres momentin kur mund të vazhdojmë këtë projekt. Realizimi i këtij projekti shumë konkret do të kishte pasur ndikim pozitiv në kualitetin e jetës së qytetarëve, në kualitetin e ambientit. Ky projekt është shtyrë dhe më vjen shumë keq për këtë”, tha ai.

Qeveria e Kosovës, po të mos sanksionohej, do të përfitonte edhe nga projektet e shtetit gjerman që lidhen me energjinë e ripërtëritshme.

Megjithatë si Franca ashtu edhe Gjermania, me vendosjen e masave ndëshkuese të aprovuara nga 27 shtetet anëtare të BE-së, ka pezulluar disa projekte që lidhën me energji të ripërtëritshme, siç tha ambasadori Jorn Rohde, për një çështje që mund të zgjidhej menjëherë.

“Ne duam ajër të pastër për Kosovën, ashtu siç e duam për Francën dhe Gjermaninë, pra sa më shumë që zgjatet natyrisht që ndikon te jetët e qytetarëve, prandaj na duhet progres i shpejtë dhe shtensionim sepse gjëja e fundit që njerëzit duan është pasiguri dhe e dini kemi shumë potencial për zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor, ne duam që i tërë rajoni të jetë më afër BE-së”.

Madje Rohde, po ashtu në një intervistë për Klan Kosova, tregoi për një bisedë që kishte realizuar “me një mik shumë të mirë të Kosovës”, i cili i kishte kumtuar diplomatit gjerman, se ngërçi aktual në Veri po rrezikon “ta kthejë Kosovën disa vite prapa në afrimin me strukturat Evropiane”.

“Kjo është gjëja e fundit që ne duam, për ne është e qartë se sa më shpejtë që vazhdohet drejtë rrugës së BE-së dhe të Këshillit të Evropës është më mirë, dhe kjo po minohet nga situata aktuale”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore