Lajme

Ambasadorët e BE-së mbështetën liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave ilegale serbe në Kosovë


Ilustrim

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) mbështetën miratimin e liberalizimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, raportoi të enjten rrjeti evropian i lajmeve “Euronews” në gjuhën serbe.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) – organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së, u pajtua me propozimin e Parlamentit Evropian (PE) dhe Komisionit Evropian (KE) për ndryshime në rregulloren për poesduesit e pasaportave serbe të lëshuar nga Zyra Koordinuese e Serbisë.

Kështu thuhet në një letër të kreut të COREPER-it, Willem van de Voorde, adresuar kryetarit të Komitetit të PE-së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE), Juan Fernando López Aguilar, gjatë së enjtes.

Zyra e Raportuesit të PE-së për liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave ilegale serbe në Kosovë, Matjazh Nemec, njoftoi më 9 prill se LIBE miratoi raportin për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Ata njoftuan se raporti për liberalizimin e viziave për poseduesit e pasaportave serbe u votua me 34 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime, ndërsa do të hidhet në votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian që zhvillohet midis 22 dhe 25 prillit në Strasburg të Francës.

Kjo do të jetë seanca e fundit e përbërjes aktuale të PE-së sepse midis 6 dhe 9 qershorit do të mbahet cikli i ri zgjedhor për ulëset e legjislativit të bllokut. Dhe në këtë seancë pritet të konfirmohet mbështetja për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, por lëvizja e lirë nuk vlen edhe për poseduesit e pasaportave ilegale serbe. Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë Kosovë, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë.

Përkundër se KE-ja në nëntor të vitit të kaluar propozoi përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave për Kosovën, një propozim i tillë nuk është aprovuar ende nga Këshilli i BE-së , për të cilën kërkohet konfirmimi paraprak në PE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore