Lajme

Alzasa – nënrajoni i Francës që pritet të merret si “modeli bazë” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe


Ilustrim/Alsasa

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në më pak se dy javë palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekzistojnë pajisje të ndryshme me anë të të cilave grupet mund të arrijnë autonomi të pjesshme brenda një shteti territorial ekzistues. Në një rast të veçantë kjo do të varet edhe nga karakteri i grupit të përfshirë dhe marrëdhëniet e tij me komunitetin shumicë.

Derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin kurrfarë problemi për funskionimin e shteteve përkatëse, në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kuptohen si parashtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura.

Qeverisë së Kosovës, siç raportoi Albanian Post nga burime diplomatike, i janë prezantuar më shumë se njëzet modele evropiane si shembuj mbi bazën e të cilave mund të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë apo “modelet bazë” që mund të aplikohen në rastin e Kosovës.

Për shkak të konteksteve të ndryshme, specifikave dalluese dhe rrethanave të tjera do të bëhet një kombinim modelesh, varësisht se si pajtohen palët. Njëra ndër to është edhe nën-rajoni i Alzas-it në Francë.

Por, në thelb, ajo që kërkohet është një zgjidhje kushtetuese që krijon një institucion përfaqësues për njerëzit dhe i cakton atij kompetenca legjislative dhe politikëbërëse për çështje që janë thelbësore për identitetin dhe mirëqenien e tyre materiale.

Alzasa është pjesë e Francës, por siç njihet atje një “collective territoriale”, pra një autoritet territorial, si nën-ndarje në Francë, të cilit i është njohur autoriteti qeverisës. Ky emër u njihet të gjitha atyre pjesëve që janë një entitet zgjedhor dhe kanë një qeverisje lokale dhe autoritet të rregulluar lokal.

Alzasa, në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën, ka afër 2 milionë banorë dhe cilësohet si një nën-ndarje kulturore nga pjesa tjetër e Francës me banorët që kulturalisht janë një kombinim mes influencës gjermanike dhe franceze.

Aktualisht gjuha zyrtare është frëngjishtja, për shkak se me Kushtetutën e Francës është e ndaluar të ketë një gjuhë tjetër zyrtare, por kohëve të fundit në nivel lokal, nacional, por edhe evropian është promovuar gjuha alzasiane si element i identitetit të alzasianëve.

Gjuha alzasiane është një gjuhë që përbëhet nga kombinime të dialekteve gjermane dhe i takon familjes së gjuhëve indo-evropiane gjermanike. Shteti francez e njeh si një nga gjuhët që flitet në rajon, por nuk është në nivel të gjuhës zyrtare.

Kjo gjuhë mësohet në shkollë në këtë pjesë, por jo si obligative. Në Alzas mësohet gjithashtu edhe gjermanishtja në shkollë. Për nga tingulli gjuha alzasiane tingëllon si gjermanishtja e zviceranëve. Rajoni, përgjatë historisë dhe luftërave mes Gjermanisë dhe Francës ka ndërruar anë plotë pesë herë, varësisht kush ka qenë fituesi.

Statusi politik i Alzasas brenda Francës është ai i një “departamenti” plus disa kompetenca shtesë si të një rajoni. Pra ka një fuqi të ndërmjetme, nuk është rajon, por është mbi komunë dhe konsiderohet si një nën-rajon. Është më pak autonom se sa Korsika për shembull. Emri zyrtar i Alzasit është Kolektiviteti Evropian i Alzasit.

Franca, përveç nivelit qendror të pushtetit, ka edhe tri nivele të tjera – Rajonet administrative, departamentet, komunat. Alzas është nivel mbi-komunal dhe nën-rajonal. Statusi i veçantë u votua në parlamentin francez me 25 korrik të vitit 2019, derisa Ligji që ia përcakton fuqitë u shpall me 2 gusht 2019.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore