Kosova

Aliu kundër Kurtit: Ka qenë gabim animi i Qeverisë për zgjedhjet në Luginë, të rregullohet sa më parë


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, ka thënë se ka qenë gabim përfshirja e kryeministrit Albin Kurti duke e përkrahur vetëm një parti politike në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën në Preshevë dhe Bujanoc, derisa ka shtuar se “Kurti duhet të jetë përbashkues”.

“Nuk ka qenë mirë që është mbështetur vetëm një subjekt politik, edhe pse po të kisha të drejtën e votës do ta kisha votuar Ardita Sinanin. Nga pozicioni i Prishtinës do të duhet të jemi më të kujdesshëm karshi qytetarëve në atë pjesë, pasi janë në një situatë shumë delikate, është i domosdoshëm uniteti mes subjekteve politike atje”, tha Aliu gjatë një interviste në RTK.

“Duhet të kemi mesazhe që i unifikojnë ata, në situatën që kemi në Bujanoc është domosdoshme që të përcjellim mesazhe unifikuese. Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë. Duhet të bëhet çmos që qytetarët e Preshevës ta ndjejnë Prishtinën njëjtë, pavarësisht dallimeve partiake. Tash duhet të dërgohen mesazhe përbashkimi, jo të mbështetet një subjekt politik”, shtoi.

Ndryshe, më 29 maj, kryeministri Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral që PVD-ja kishte mbajtur në Prishtinë, duke u përgjigjur kritikave se “po i përçan shqiptarët në Luginën e Preshevës”, pasi që po i mbështet kandidatët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) për kryetarë të Preshevës dhe Bujanocit, në zgjedhjet e 2 qershorit, pati thënë se shkon kudo që e ftojnë.

“Më kanë thënë se nuk bën të marrë pjesë vetëm te dy kandidatë… unë shkoj aty ku më thërrasin”, tha Kurti, derisa ka falënderuar Ardita Sinanin, kandidaten për Kryetare të Preshevës, njëherit këshilltare e tij dhe Ragmi Mustafin, kandidat për kryetar të Bujanocit dhe këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, që e kanë ftuar.

“Aty ky është Lugina bashkë, aty jam unë bashkë me Luginën”, potencoi ai, derisa i ftoi të gjithë qytetarët e Luginës që të dalin të votojnë pasi që vlerësoi se vota e tyre “është forca për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë e prosperuse në Luginë”.

“T’i mbështesim këta kandidatë të cilët duhet ta shpien përpara edhe pozitën e qytetarëve atje, por në të njëjtën kohë edhe ëndrrat e dëshirat e rinisë që ka të drejtë më shumë e meriton shumë më tepër”.

Kryeministri theksoi se me shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës ai vepron ndryshe nga Serbia dhe krerët e saj në raport me serbët që jetojnë jashtë Serbisë.

“Beogradi bën thirrje për bojkot e obstruksion, ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje e kontribut”, potencoi ai, pasi që, sipas tij, “nuk ka vendimmarrje pa pjesëmarrje”.

Kurti vazhdon me qasjen përçarëse edhe te shqiptarët në Luginë – i bënë pjesë të fushatës edhe paratë e kosovarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore