Kosova

Albulena Haxhiu: Nuk kemi pasur asnjë kërkesë zyrtare për garancinë e të akuzuarve në Hagë


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se deri tani nuk kanë pasur kërkesa për garanci për të akuzuarit, as nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara e as nga vet Gjykata Speciale.

Sipas saj, institucionet e drejtësisë është dashur të fuqizohen në Kosovë.

“Deri tani nuk kemi pasur ende asnjë kërkesë zyrtare nga mbrojtja e personave që po akuzohen brenda gjykatës së specializuar. Është dashur që të fuqizohen institucionet tona të drejtësisë, në raport me adresimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë por nëse ka pasur ndonjë krim individual që nuk ka qenë nga UÇK, padyshim që do të duhej të adresohej”, është shprehur Haxhiu.

Ajo po ashtu, ka thënë se nëse do të ketë kërkesa nga mbrojtja “padyshim që do ta shqyrtojmë si të tillë”.

Ajo i ka bërë përgjegjës të gjithë ata që kanë votuar për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Argumentet tona politike nuk i kanë marrë parasysh, kanë votuar dhe unë sot i bëjë përgjegjës ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale pavarësisht se kush janë, pavarësisht që shumica e tyre janë pjesë e pozitës, ata i kanë bërë një gabim shumë të madh Kosovës”, u shpreh në një diskutim të organizuar nga Lëvizja Fol.

Sipas saj, përmes amandamentit kushtetues dhe përmes ndryshimeve të tjera që janë bërë “e kemi paraqitur një pasqyrë të shtrembëruar për të vërtetën e UÇK-së”.

Ajo tutje ka shtuar se nuk kanë qenë të ligjshme ndarjet e mjeteve financiare nga Qeveria Haradinaj për të ftuarit si të dyshuar nga Specialja.

“Sa i përket shpenzimeve, kam bërë kërkesë te kryeministri Kurti që të njëjtat të de klasifikohen sepse vendimi i qeverisë Haradinaj nuk lejonte qasjen në këto shpenzime prandaj Kurti e ka ndryshuar vendimin në fjalë, kanë qenë të qasshme vetëm shpenzimet të cilat janë ndarë nga Ministria e Drejtësisë, në këtë drejtim po flitet për personat që edhe aktualisht janë të akuzuar”, ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu ka diskutuar edhe për prioritetet kryesore të kësaj ministrie, ku në rend të parë e ka radhitur përfundimin e procesit të zhvillimit funksional që sipas saj ka tre vjet që është nisur.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që ka pasur ky proces edhe për ministrinë e drejtësisë, shoqërinë civile, përfaqësuesit e institucioneve përfaqësues të ambasadave që kanë qenë në këtë proces, kam konsideruar se pavarësisht kohës kur ka nisur ne duhet ta shtyjmë përpara”, ka thënë ajo.

Pastaj si çështje me rëndësi të veçantë është procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë që sipas Haxhiut, është “prioritet ndër prioritetet”.

“Ky proces tashmë është një kërkesë shoqërore për të cilin nuk ka asnjë dilemë se a duhet të ketë apo jo proces të vettingut në Kosovë”.

Ajo ka shtuar se nuk duhet të niset assesi vetëm me planin A.

“Problemi me ndryshimet kushtetuese mund të jetë te dështimi eventual i tyre për të kaluar në Kuvend të Kosovës për faktin se ndryshimet kushtetuese votohen me 2/3 e deputetëve shqiptarë dhe po ashtu me 2/3 të përfaqësuesve të komuniteteve jo shumicë në Kosovë, prandaj duhet ta kemi planin B që mos ta ndalim procesin e vettingut”, ka potencuar Haxhiu.

Prioritet tjetër është çështja e adresimit të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas Haxhiut, Kosova vazhdon të mbetet një vend me probleme të mëdha në këtë drejtim dhe një ndër vendet më të korruptuara.

“Ne e kemi votuar projekt dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Sfida e kësaj do të jetë mekanizmi që do ta vlerësojë pasurinë e pajustifikueshme, është shumë e rëndësishme që të kemi një institucion për një mekanizëm të veçantë, të pavarur dhe shumë profesional. Çfarëdo vendimi që do të marrë ky mekanizëm do ta dërgojmë në gjykatë pra nuk do të jetë kompetencë e agjencisë të konfiskojë pasurinë e pajustifikueshme por ideja është që këtë ta bëjë gjykata”.

Përveç këtyre, ministrja e drejtësisë, ka treguar se sa i përket çështjes së adresimit të luftës, ajo ka bërë një kërkesë në Prokurorinë Speciale që të njoftohet për nevojat që i kanë në adresimin e krimeve të luftës.

“Janë vetëm katër prokurorë të cilët merren me rastet e krimeve të luftës, ky numër është shumë i vogël që të adresohen të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, prandaj kam bërë kërkesë që të njoftohem në rast nevoje”.

Adresimi i dhunës në familje, është një tjetër prioritet i Ministres Haxhiu.

“Konsideroj që dhuna në familje nuk është çështje private, ajo nuk mbetet e izoluar, është përgjegjësi shtetërore prandaj institucionet duhet të bëjnë sigurimin e vajzave dhe grave”, ka theksuar ajo.

Ajo ka treguar se është shqyrtuar disa herë nevoja për veprime serioze në këtë drejtim dhe sipas saj janë dy probleme që ajo konsideron që duhet eliminuar në këto raste.

“E para është çështja e neglizhencës së institucioneve që ia bëjnë këtyre rasteve dhe e dyta është dënimet e vogla ndaj dhunuesve të cilët me ato dënime që i marrin nga gjykatat thjesht inkurajohen të bëjnë veprime të tilla edhe tutje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore