Lajme

Albin Kurti të mërkurën “merret në pyetje” nga deputetët e Kuvendit të Kosovës


Albin Kurti

Të mërkurën e 30 nëntorit deputetët e Kuvendit të Kosovës do të jenë të pranishëm në një seancë parlamentare ku subjekt i këtij diskutimi do të jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Seanca në fjalë ka vetëm një pikë të rendit të ditës.

Albin Kurti është ftuar në interpelancë lidhur me masat e Qeverisë për situatës në Kosovë.

“Interpelancë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti për çështjen: “Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Seanca pritet të fillojë në orën 11:30.

Të mërkurën e 23 nëntorit në Bruksel zëvendëskryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, ishin dakorduar për çështjen e targave.

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova ishte pajtuar që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu ishte nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, edhe Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM” e të ngjashme.

Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi, por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore