Kosova

Aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kontrabandë me mallra


Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve M.A dhe N.K., të cilët dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Kontrabandimi me mallra”.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri M.A., më 05 tetor 2021, në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli, tek autoriteti pyjor në komunën e Kamenicës, me dashje ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në atë mënyrë që ka damkosur rreth 12 kubik drunj, të llojit pishë.

“Edhe përkundër faktit që kjo sasi e drunjve ishte kontrabanduar nga Republika e Serbisë, me ç ‘rast ka legalizuar këtë sasi të drunjve duke i mundësuar të pandehurit tjetër N.K., që të përfitojë duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e Prokurorisë.

Ndërkaq, gjatë ditës së mërkurë, më urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia përkatësisht hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kishin arrestuar gjashtë persona për shpëlarje parash, falsifikim dhe armëmbajtje pa leje dhe u janë konfiskuar 125 mijë euro e pesë vetura.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, aksioni ishte realizuar në qytetet e Ferizajt, Fushë Kosovës, Vitisë, Kaçanikut, si dhe në Prishtinë.

“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë arrestuar gjashtë (6) persona, me inicialet A.Q., Sh.R., A.O., F.L., H.L dhe L.S., të dyshuar se kanë kryer veprat penale “Shpëlarje parash”, “Falsifikim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore