Lajme

Aksidenti me autobus: Shoferi do të gjykohet në Kroaci, jo në Kosovë


“Ngjarja ka ndodhur në territorin e Kroacisë, prandaj vetëm organet kompetente kroate kanë të drejtë hetimin e rastit”, thonë përfaqësues të Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë, për Albanian Post, për rastin e shoferit të autobusit nga Kompania “Deva Tours”, ndaj të cilit këtë të martë u caktua masa e sigurisë, paraburgim për një muaj.

Kjo, pas aksidentit të shkaktuar para dy ditësh, ku humbën jetën 10 persona dhe 40 të tjerë u lënduan.

“Arsyet janë të qarta, Kosova nuk ka juridiksion në atë se çka ka ndodhur në territorin e Kroacisë”, thonë nga ministria.

Gjithashtu, bëhet e ditur se “nuk mund të kërkojnë ekstradimin e tij, pasi që shoferi në këtë rast nuk është shpallur ‘person në kërkim’ nga organet tona gjyqësore për qëllim të zhvillimit të procedurës penale ose për ekzekutimin e dënimit”.

Kështu shoferi i autobusit, do të gjykohet në Kroaci nga gjykata kroate sipas legjislacionit që ka në fuqi ky shtet.

Shoferi i kompanisë “Deva Tours” mund të kthehet në Kosovë vetëm pas vendimit përfundimtar të Gjykatës e cila do të merret me rastin e tij.

“Nëse shpallet fajtor atëherë mund të paraqitet kërkesa për t’u transferuar në Kosovë që të vuajë dënimin”, thuhet më tej në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë, për Albanian Post.

“Sa i përket rastit në fjalë, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nëse pranon ndonjë letërporosi nga autoritetet kroate, e njëjta do të procedohet sa më shpejt që është e mundur dhe sipas procedurave të theksuara në Marrëveshjen Dypalëshe në fuqi, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në çështje penale”.

Gjithashtu, në këtë shkresë elektronike nga MD, thuhet se “personi i dyshuar është shtetas kosovar dhe sikur të ishte në kërkim nga organet tona gjyqësore marrëveshja nuk do të ishte pengesë për ekstradimin e tij”.

Shoferit të autobusit që dyshohet se e shkaktoi aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Paraburgimi u urdhërua për shkak të rrezikut që ai të arratiset, ai është një shtetas i Republikës së Kosovës, Kroacia ka disa marrëveshje me Kosovën, por nuk ka asnjë marrëveshje për ekstradimin e shtetasve të saj kundër të cilëve janë procedurat penale duke u kryer”.

“Avokati i shtetit njoftoi se ai do të propozonte marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve që ishin në autobus, kështu që një seancë tjetër do të mbahet sot, “iu tha gazetarëve gjyqtari hetues Mile Soldo, raportn Index.hr.

Kujtojmë se shoferi 52 vjeçar i autobusit me targa të Kosovës gjatë aksidentit të së dielës ku vdiqën 10 pasagjerë u mbrojt në heshtje gjatë marrjes në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Slavonski Brod.

Zyra e Avokatit të Shtetit të Kroacisë, ka njoftuar se shoferi ishte i lodhur dhe i paaftë për të drejtuar autobusin i cili u aksidentua të dielën dhe si pasojë vdiqën 10 udhëtarë nga Kosova dhe 40 të tjerë u lënduan, raporton index.hr.

“Më 26 korrik 2021, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Qarkut në Sllavonski Brod ka marr në pyetje shtetasin 52-vjeçar të Republikës së Kosovës për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të shkaktimit të një aksidenti trafiku”, njoftoi fillimisht zyra e avokatit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Avokatit të Shtetit të Kroacisë.

Nga 40 të lënduarit, 15 prej tyre do të vazhdojnë trajtimin mjekësor në Kroaci, ndërsa 26 të tjerët janë në proces të lirimit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate përmes ambasadës së Kosovës në Zagreb, lidhur me gjendjen e bashkatdhetarëve të aksidentuar dje në Sllavonski Brod, njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 14:00, janë 26 persona në proces të lirimit nga spitali”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës.

Vetëm njëri nga të lënduarit e aksidentit tragjik të ditës së diel është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj, ka thënë për Albanian Post, se aksidentin e së dielës e cilëson si njërin nga momentet më të rënda të jetës së saj.

“Ka qenë shumë e rëndë, ka qenë shumë trishtuese dhe e tmerrshme dhe s’ka fjalë që të përshkruhet pasi kanë vdekur 10 persona. Ajo çka ka qenë edhe më trishtuese ka qenë komunikimi me familjarët e viktimave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore