Lajme

Abit Hoxha për dialogun në Bruksel: “Të dyja palët nuk janë të interesuara të vrasin pulën që sjellë vezë të arta”


Abit Hoxha, profesor i medias dhe Konfliktit në Universitetin Adger
  • Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të hënën në Bruksel shpërfaqi anomalinë e këtij dialogu që ndërmjetësohet nga BE.

Kështu e ka vlerësuar takimin e 27 shkurtit, profesori i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, në një intervistë për Albanian Post.

“Anomalia është se asnjë nga alternativat e sjella në tavolinë nuk kanë përkrahje popullore pikërisht për shkak të të dy liderëve që janë përballë në atë takim dhe që të dy, e shesin në publikun respektiv këtë propozim-marrëveshje si të imponuar nga BE”, ka thënë ai.

Të dyja palët, vlerëson Hoxha, tanimë nuk mund t’i rezistojnë një shumice të botës demokratike ku përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca, “për një propozim të tillë për normalizimin e marrëdhënieve për më gjatë edhe pse shihet se të dy liderët nuk janë të interesuar të ‘vrasin pulën që sjellë vezë të arta’”.

Edhe pse në dy shtete, Kosovë dhe Serbi, pajtimi për tekstin e Propozimit Franko-Gjerman tanimë po vlerësohet e servohet si fitore nga të dyja palët, para audiencës së tyre, me ndërmjetësim të BE-së, ky propozim “i tej-zgjatë jetën pikërisht politikave të deritanishme të ndërmjetësimit të BE-së dhe ju konvenon të dy liderëve për të ardhmen sepse le shumicën e temave të hapura dhe për interpretim të njëanshëm të palëve”, shpjegon Hoxha.

Edhe vet pajtimi për dokumentin, sipas Hoxhës është kozmetik, i cili nuk është asgjë më shumë sesa hapje e punës së mëtejme për dialog.

“Për më shumë, pajtimi që “të dyja palët të mos paragjykojnë pikëpamjet e palëve në çështjet fundamentale”, në preambulën e propozimit tregon se ka pajtim për të mos u pajtuar”, specifikon ligjëruesi i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha. “Edhe pse, preambula nuk ka karakter obligativ, ajo pjesë e determinon natyrën e interpretimit politik të dokumentit”.

Hoxha mendon se shtyrja e këtij pranimi apo marrëveshje për Republikën e Kosovës ka pasur konsekuenca të mëdha negative në rrafshin ndërkombëtar dhe “nuk e ka lëvizur pozicionin e Kosovës vis-à-vis Sërbisë në dialog”.

“Nëse nuk ka regres, në aspektin e diskutimit për njohje, është tej-zgjatje e pajtimit që të mos pajtohemi me Serbinë.

Ky propozimi, gjithashtu lejon vazhdimin e supozimit që asnjëra palë nuk do të përfaqësoj njëra tjetrën dhe se “Serbia nuk do të kundërshtoj anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Hoxha rikujton se ky supozim është diskutuar në mënyrë implicite që nga Marrëveshja e Rambujesë, “e cila nuk është nënshkruar si dhe marrëveshje tjera por praktikisht, kjo gjë nuk ndodhë pasi që përgjatë 23 vitesh, kemi parë Serbinë të veproj pikërisht të kundërtën”.

Dryshimi që sjell kjo marrëveshje, është pajtimi për themelimin e Misioneve të cilat do të vendosen në selitë e qeverive të të dyja shteteve.

“Por, kjo gjithashtu vetëm ri-konfirmon një marrëveshje të mëhershme për misione-me të cilën Kosova ka mision në Beograd dhe Serbia në Prishtinë”, thotë Hoxha.

“Në mënyrë implicite, Kosova pajtohet të implementoj marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave me nenin 7 të propozimit si dhe në mënyrë të hapur për të zyrtarizuar statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.

Hoxha ka komentuar edhe deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, dhënë një ditë pas takimit në Bruksel, i cili shkurt dhe prerazi ka deklaruar se dialogu i BE-së nuk ka në qendër njohjen reciproke, por vetëm normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Propozimi nuk përfshinë njohjen sepse deri më tani, i gjithë qëllimi i dialogut ka qenë njohja dhe për këtë arsye nuk ka pas ndonjë rezultat të dukshëm. Tani që njohje hiqet nga tavolina, do të shohim marrëveshje më të vogla inkrementale për 10 vitet e ardhme së paku”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore