Lajme

Abdixhiku falënderon Izraelin për heqjen e vizave


Lumir Abdixhiku dhe Tamara Ziv

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, gjatë një takimi që zhvilloi të martën me ambasadoren e Izraelit në Prishtinë, Tamara Ziv, falënderoi shtetin izraelit për largimin e regjimit të vizave për kosovarët, ndërsa shtoi se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është i domosdoshëm, posaçërisht sa i përket zhvillimit ekonomik.

“Gjatë këtij takimi, kryetari Abdixhiku dhe ambasadorja Ziv diskutuan për ngjarjet politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së rreth këtyre ngjarjeve. Kryetari Abdixhiku falënderoi ambasadoren Ziv që shteti i Izraelit ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës si dhe vlerësoi që thellimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve sidomos për zhvillim ekonomik është i domosdoshëm”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të hënën se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, duke ua mundësuar kosovarëve udhëtimin e lirë drejt vendit të vogël të Lindjes së Mesme për qëllime turistike. Vendimi i Izraelit – vendi i fundit që njohu pavarësinë e Kosovës – për heqjen e vizave do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhet në njoftimin për shtyp të lëshuar nga Presidenca e Kosovës të hënën e 29 janarit.

Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) nga data 22 shkurt 2024, ndërsa nga 1 janari i këtij viti, kosovarët janë duke e shfrytëzuar lëvizjen e lirë pa viza edhe në vendet e Bashkimit Evropian (BE) apo Zonës Schengen për qëndrime afatshkurtëra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore