Lajme

Abazoviç propozon që takimi tjetër mes Kosovës dhe Serbisë të mbahet në Mal të Zi


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka propozuar që vendi të cilin e përfaqëson të bëhet nikoqir i bisedimeve të ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, kjo ofertë vjen për shkak të raporteve të mira me liderët e të dyja vendeve.

“Personalisht, do të doja të zgjeroja ofertën time, nëse ka ndonjë raund të ri bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i pritur në Mal të Zi”, ka thënë ai në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

Ai tutje konsideron se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por personalisht besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që është fitimprurëse edhe për Serbinë edhe për Kosovën. Kjo është rruga që rajoni duhet të ndjekë. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, pasi të plotësohen të gjitha kriteret, anëtarësimi në Bashkimin Evropian si synimi final për të gjithë rajonin”, ka deklaruar ai.

Ndërsa si zgjidhje për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër thotë se palët duhet të jenë në të njëjtën faqe dhe t’i përmbushin obligimet për të cilat kanë rënë dakord.

“Në mënyrë që kjo të ndodhë, ata duhet të jenë në të njëjtën faqe dhe t’i përmbahen asaj për të cilën kanë rënë dakord. Unë nuk jam ithtar i një ideje ku palët nënshkruajnë diçka pa e ndjekur zbatimin. Kjo nuk ka funksionuar shumë mirë në të kaluarën”.

“Pjesa më e rëndësishme është të siguroheni që ajo për të cilën ata bien dakord të zbatohet në praktikë”.

Ndërsa ka kërkuar që të respektohen dispozitat specifike të aneksit të zbatimit, duke përfshirë ato të Serbisë që nuk bllokojnë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Gjithashtu, Kosova “të zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore