Lajme

Abazoviç: Po e rrisim bashkëpunimin me Serbinë në një nivel më të lartë


Dritan Abazoviç

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se shteti malazez po e fuqizon bashkëpunimin me Serbinë në nivele më të larta, duke shtuar se ndikimi i Federatës ruse në Mal të Zi “nuk ka qenë kurrë më i vogël”.

“Mendoj se është detyrë e çdo lidershipi malazez të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm me të gjitha vendet e rajonit, veçanërisht me Serbinë për shkak të tregtisë. Ky është qëllimi. Nuk ka ndikime të tjera”, tha Abazoviç, duke shtuar se “nuk ka ndikim shqetësues të Serbisë në Mal të Zi”.

Ndërkaq, ai shtoi se “është arritur një rezultat i rëndësishëm me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe”, për të cilën kishte pasur kritika të mëdha, dhe kjo marrëveshje ishte bërë shkas që ai të shkarkohej nga pozita e kryeministrit, pasi e kishte humbur mbështetjen e parterëve të koalicionit.

Ndërsa, Abazoviç shprehet i bindur se Mal i Zi “mbetet në rrugën euroatlantike”.

“Mali i Zi ka nxjerrë në pension njerëz që kanë qenë në pushtet për 30 vjet”, potencoi ai duke iu referuar ish-presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, i cili humbi garën presidenciale kundrejt Jakov Milatoviç-it me 2 prill, çka edhe shënoi edhe largimin e tij për herë të parë nga institucionet malazeze pas 33 vitesh.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është të bëhemi anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, pohoi ai, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

Tutje, kreu i ekzekutivit malazez theksoi se ndikimi i Rusisë “nuk ka qenë kurrë më i vogël se në vitet e kaluara”, në një kohë kur e gjithë bota perëndimore i ka vënë sanksione Moskës pas agresionit të saj në Ukrainë.

“Ne i kemi shpallur persona non grata të gjithë diplomatët e Federatës Ruse në Mal të Zi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore