Kosova

AAK kërkon votimin e rezolutës kundër shtrenjtimit të rrymës, paralajmëron protesta


Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, përmes një konference për media ka bërë të ditur se të enjten e 20 janarit në Kuvendin e Kosovës tema kryesore do të jetë propozimi për shtrenjtimin e rrymës, prandaj ai ka ftuar të gjithë grupet parlamentare për të votuar rezolutën që stopon këtë propozim.

Sipas Tahirit propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike afekton rreth 200 mijë familje kosovare dhe se nëse një gjë e tillë nuk ndalohet atëherë mund të ketë edhe protesta.

“Është e papranueshme që dikush që i ka paguar 58 euro të paguajë me tarifën e re 109 euro, 100 për qind më shumë. Ne presim që në Kuvendin e Kosovës shumica parlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje që të reflektojë dhe të votojë rezolutën e AAK-së që kërkon nga ZRRE dhe Qeveria që të mos e shtrenjtoj rrymën”, ka thënë Tahiri.

“Ku ka logjikë që një familjeje t’i dyfishohet çmimi i rrymës dhe pastaj me taksat e këtyre të paguhen një pjesë tjetër. Nuk ka logjik që dikush të paguajë për tjetrin, pse duhet një familje të paguajë faturën e dyfishtë dhe pastaj të subvencionohet një biznes që i ka më pak se 600 kilovat orë të shpenzuar”, ka shtuar ai.

“AAK fton grupet parlamentare në Kuvend, në qoftë se ne kemi votuar bashkërisht në shumë tema, ky është interes i përbashkët, s’është i asnjë partie, kjo rezolutë të miratohet me shumicën absolute të të gjithë deputetëve, në të kundërtën, ne do t’i shterim të gjitha mekanizmat duke përfshirë edhe protestimin për këtë ngritje të çmimeve”.

Ndryshe gjatë ditës së hënë të 17 janarit ZRRE ka publikuar dy raporte konsultative ku njëra nga këta ka të ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

Sipas propozimit të ZRRE-së i cili reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.

“Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët”, thuhet në raportin në fjalë.

Bazuar në këtë propozim fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj.

Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kwh rritet për 26.98, euro ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh rritet me 50.89. euro.

Pra sipas propozimit të ZRRE-së nëse një konsumator i cili ka shpenzuar 1000 kWh energji elektrike dhe ka paguar 58.52 euro tash pas rritjes do të duhet të paguaj 109 euro.

Pas kësaj Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se është zotuar të ndaj 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset vendore pas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të rrymës.

Sipas një njoftimi zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë subvencionimi i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor të mbetet me 0 për qind rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kilovat për orë të mbetet me 0 për qind rritje.

Ndërsa sipas këtij njoftimi tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.

“Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, qëllimi primar i subvencionit të ndarë nga Qeveria e Kosovës është për të mbrojtur veçanërisht konsumatorët e ndjeshëm nga ndikimi i çmimeve më të larta të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore