Lajme

A po bën SHBA në Ballkan atë që bëri në vitet 70-ta me Amerikën Latine? – Një analizë kritike e studiuesit Mujkiç


Foto ilustruese, trupa amerikane ne diku amerikane latine

A po e përsërisin Shtetet e Bashkuara të Amerikës të njëjtën politikë që kishin ndjekur në vitet 1970 dhe 1980 në raport me shtetet e Amerikës Qendrore, duke përkrahur diktatorë të vegjël, apo duke mbyllur njërin sy, me të vetmin qëllim që rajoni të mos përfshihej nga një valë komunizmi siç rrezikonte?

Studiuesi dhe Profesori i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë në Universitetin Amerikan të Colorado Springs, Edin Mujkiç, ka bërë një analizë të gjatë në Twitter, duke bërë një krahasim pikërisht të këtyre dy periudhave.

Studimet e mëpasshme dhe realiteti në terren do të tregonin se vala e madhe e emigrantëve nga vendet latine për në SHBA, që me vete do të sillnin krim e banda kriminale të shumta, ishte pasojë e pikërisht asaj politike të ndjekur, meqë diktatorët e ledhatuar kishin shkatërruar kapacitetin institucional të atyre vendeve.

Mujkiç shkak ka marrë nga cicërima e fundit e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, ku iu kërkonte falje serbëve për bombardimin e NATO-s, por edhe nga lëvizjet amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Në dritën e cicërimës së fundit nga ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, deklarata të ndryshme nga Milorad Dodik dhe Lidija Bradara e të tjerë, dua të bëjë diçka të qartë për politiken e jashtme të ShBA-ve në Ballkan”, nis shpjegimin Mujkiç.

“Para disa ditësh, deklarova se politika e jashtme amerikane sot është reminishencë e politikës së jashtme amerikane në Amerikën Qendrore në vitet 70-ta dhe 80-ta”, shkruan ai.

“Ishte një kohë kur SHBA-të mbështetën diktatorë të ndryshëm, apo të tillë që dëshironin të bëheshin diktatorë, dilerë droge, dhe udhëheqës të ‘lëvizjeve për liri’ me shpresën se kjo do ta ndalonte përhapjen e komunizmit. Sot, SHBA-të hapur (Vuçiç-in) apo gjysmë-hapur (HDZ-në, Çoviç-in), përkrahin persona dhe parti që rikujtojnë politikat e aplikuara në Amerikën Qëndrore”.

Megjithatë, Mujkiç shkruan se ka disa dallime pasi “politikanët në Amerikën Qendrore kryesisht ishin të përfshirë në prodhim të drogës dhe kontrabandë që kushtuan me qindra e mijëra jetë njerëzish. Kjo politikë amerikane bëri që këto shtetet të Amerikës Qendrore të mbeteshin pa kapacitetet institucional. Prandaj, sot, SHBA-të ballafaqohen me fluks të madh migrantësh nga ky rajon. Njerëzit vijnë kundërligjshëm, banda, etj, që është pasojë direkte e politikes amerikane të viteve 70-ta”.

Edin Mujkic

Po njëjtë, në një kontekst të ri dhe me liderë që s’kanë qëllim drogën, por politikat nacionaliste, sipas Mujkiç, po veprojnë SHBA-të.

“Sot politika e SHBA-ve në Ballkan është rikujtim i kësaj politike. Të dëshpëruar për ta nxjerr Serbinë nga duart e Rusisë, kemi ardhur në një pikë ku ambasadori amerikan, pak a shumë, po kërkon falje që NATO bombardoi Serbinë në vitin 1999, bombardim që erdhi si rezultat jo vetëm i parandalimit të spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë, por edhe për shkak të gjenocidit që ndodhi në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe spastrimit etnik që ndodhi në Bosnje dhe në Kroaci”.

Mujkiç vëren se Hill “hapur po e lavdëron presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, një person që ishte i përfshirë në nxitjen e spastrimit etnik, në nxitjen e deportimit të familjeve kroate nga Serbia etj”.

Studiuesi me prejardhje nga Bosnja ka postuar edhe një fjalim shovinist të Vuçiç-it në kohën kur ishte ministër propagande dhe deklaronte zëshëm se për një serb të vrarë do të vriten mijëra myslimanë.

“Ky është tani personi që supozohet ta çojë Serbinë në BE”, komenton me ironi Mujkiç.

“Në anën tjetër, SHBA-të janë pozicionuar hapur në mbështetje të HDZ-së, partisë kroate nacionaliste që hapur vlerëson kriminelë lufte”, shton ai, duke elaboruar më pas edhe politika të caktuara amerikane në Bosnje që për mendimin e tij bien ndesh krejtësisht me vlerat amerikane, meqë janë politika segregacioniste.

Ai i ka bërë thirrje komunitetit boshnjak në SHBA që kur të vije koha e zgjedhjeve, sidomos në Gjeorgjia, ku ka përqendrim të madh të boshnjakëve etnikë që të jenë shumë direkt me pyetjet dhe kërkesat e tyre për politikanët amerikanë.

Siç dihet, Gjeorgjia është një nga shtetet e pavendosura amerikane dhe gjithashtu përbën një nga ato shtete që mund të vendos zgjedhjet, prandaj të dyja partitë politike do ta kenë fushatën intensive aty dhe votat boshnjake mund ta bëjnë diferencën.

Për cicërimën e Hill-it ka pasur shumë reagime qysh nga dita kur e ka bërë. Të gjithë ia kanë kujtuar atij faktin se bombardimet erdhën pas represionit, deportimit, masakrave dhe tendencës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

“Duhet të jetë Serbia që kërkon falje dhe jo NATO”, i kanë komentuar shumë veta Hill-it në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore