Lajme

22 vjet nga masakrat e Prishtinës, liderët kosovarë nderojnë dëshmorët e kryeqytetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te varrezat e martirëve dhe dëshmorëve të Prishtinës.

Presidentja Osmani, ka thënë se dita e dëshmorëve të Prishtinës është dita për ta nderuar sakrificën sublime që dhanë të gjithë të rënët e këtij rajoni.

“Sot është dita e dëshmorëve të Prishtinës, njëra prej ditëve që të gjithë bëhemi bashkë për ta nderuar sakrificën sublime që të gjithë dëshmorët e këtij rajoni e bënë, në mënyrë që ta gëzojmë lirinë”, është shprehur Osmani para mediave.

Tutje ajo ka thënë se këta martirë “ranë duke e mbrojtur Kosovën, ranë duke treguar se sakrifica për liri e atdhe është dashuria më sublime që mund ta ketë një njeri”.

Ndërsa pas homazheve në në kompleksin memorial në Makoc, Osmani ka thënë se është e domosdoshme ngritja e zërit për drejtësi për viktimat nga regjimi gjenocidal serb, të cilët sipas saj nuk kursyen as fëmijët e as pleqtë.

“Edhe sot nga këtu, të gjithë së bashku duhet ngritur zërin në kërkesën tonë të drejtë, në kërkesën tonë për drejtësi të viktimave të gjenocidit sepse ndërgjegjja jonë si popull asnjëherë nuk do të jetë e qetë përderisa nuk do të ketë drejtësi për secilin nga viktimat e luftës në Kosovë”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se dëshmorët e kryeqytetit luftuan për lirinë dhe ranë heroikisht “që të ngritët kauza e shqiptarëve dhe më pas të vijë çlirimi, liria dhe pavarësia”.

“Andaj, ne kthehemi dhe rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata dhe t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që kemi paguar me gjakun e popullit për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot”, është shprehur Kurti para mediave.

Ndërsa, Glauk Konjufca, ka thënë se sakrifica e tyre qëndron e palëkundur në themelet e shtetit.

“Pa sakrificën dhe rënien e dëshmorëve s’do të ishte e mundshme liria e popullit tonë. As shtetësia e as pavarësia. Kështu që sa të ketë gjallë komb shqiptarë, ata do të nderohen e respektohen gjithmonë”, ka thënë ai.

Tutje Konjufca shtoi se pjesa më e lavdishme e historisë së re të Kosovës dhe e kombit tonë është lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mendoj se pjesa më e lavdishme e historisë së re të Kosovës dhe kombit tonë është lufta jonë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënia e mbi dy mijë e 500 dëshmorëve, rënia e 14 mijë martirëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, prandaj lavdi gjithë dëshmorëve e martirëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Ndërkohë Konjufca ka shoqëruar presidenten Osmani gjatë homazheve në fshatin Makoc, vend ky ku 22 vite më parë, regjimi gjenocidal i Serbisë i vrau dhe i ekzekutoi mbi 115 martirë të kësaj treve.

Sipas Konjufcës, ky është “një akt i qartë i gjenocidit të Serbisë mbi popullin e Kosovës, ku qëllimi ishte shfarosja e popullit, meqë nuk u kursyen as fëmijët as gratë e as pleqtë”.

Tutje ai ka theksuar padrejtësinë ndaj martirëve, që sipas Konjufcës është përgjegjësi e çdo përfaqësuesi institucional të Kosovës që të bëjë gjithçka që është e mundur ashtu që drejtësia të vije në vend.

“Meqë as këta martirë nuk mund të prehen të qetë e as zemrat e familjarëve që dhanë më të dashurit e tyre të jenë të qeta, përderisa kriminelët të mos e vuajnë dënimin e tyre për të gjitha këto krime të shkaktuara në Kosovë”, u shpreh ai.

Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook se në pamundësi të tubimit fizik, virtualisht përulet para këtyre dëshmorëve.

“Në pamundësi të tubimit fizik, sot virtualisht përulemi para dëshmorëve të Prishtinës. Ju themi familjeve që në vend të pikëllimit të kenë krenari që në familjet e tyre kishin njerëz që ishin të gatshëm të sakrifikojnë jetën që ne të jetojmë të lirë”, ka shkruar ai.

Ndërkaq edhe kryetari i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook, përveç se ka kujtuar të rënët në masakrën e Makocit, ai ka theksuar edhe trimërinë, vendosmërinë e guximin e luftëtarëve të Brigadës 153 Hyzri Talla.

Me këtë rast ai ka thënë, “ta ruajmë këtë liri si vlerën më të shenjtë dhe të përulemi me admirim para të rënëve”.

Ndërsa, Daut Haradinaj i cili ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar i komunës së Prishtinës, me rastin e përvjetorit të 22 të kësaj masakre në Makoc, ka bërë thirrje për drejtësi për viktimat e gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës.

“Kjo histori e dhimbshme mbi popullin tonë akoma nuk e mori dënimin e merituar nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkuar ai në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore