Kosova

Pas intervenimit të KFOR-it, shuhet zjarri në Prevallë


Komuna e Prizrenit ka njoftuar se pas intervenimit nga ajri nëpërmjet helikopterëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, është shuar zjarri në Prevallë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku theksohet se akterët relevant në terren janë në përcjellje të situatës.

“Gjatë intervenimit nga ajri, nga ana e KFOR-it, me anë të helikopterëve është hedhur ujë, ndërsa, zjarri është shuar dhe nuk duket se ka shenja se mund të përsëritet gjendja e njëjtë”, kanë shkruar nga kjo komunë.

Ata kanë shtuar se si rezultat i përcjelljes së gjendjes së krijuar dhe pas konsultimeve “përfshirë edhe KFOR-in, u vlerësua se për ta evituar rrezikun e përhapjes së mëtutjeshme të zjarrit duhet intervenuar nga ajri”.

Nga kjo komunë potencuan se KFOR-i edhe një herë e konfirmoi përkushtimin për t’u gjetur aty ku rrezikohet prona dhe jeta e banorëve në Kosovë.

“Jemi falënderues dhe mirënjohës jo vetëm ndaj KFOR-it por dhe ndaj të gjithë akterëve tjerë të cilët dhanë kontributin, se pari për ta menaxhuar e pastaj për të shuar zjarrin. Falënderim për shtabin emergjent të krijuar nga Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë e Komunës së Prizrenit, posaçërisht zjarrfikësve prizrenas që monitoruan situatën gjatë gjithë kohës”, ka thënë Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj.

Ky fshat turistik – konkretisht mali Oshlak – që nga 8 gushti ishte përfshirë nga zjarri.

Në një bisedë për Albanian Post, një banor pati treguar se në këtë zonë që nga kjo periudhë kohore zjarri nuk ishte ndalur, madje tha se rreziku ishte shtuar dhe që zjarri “është 150 metra afër shtëpive”.

Ai tha se zjarri kishte depërtuar edhe te një pjesë e pishave tek Parku Kombëtar. “Ky park i ka disa pisha të veçanta që vijnë turistët enkas për këto pisha”, shtoi.

Banori pati treguar se tashmë është vështirë të kalohet kjo gjendje, derisa pati thënë se institucionet relevante nuk ishin duke e menaxhuar mirë këtë situatë.

Ai ishte shprehur i bindur se po të ndërmerreshin masa me kohë situata nuk do arrinte deri këtu.

Tutje, shpjegoi se banorët kishin tentuar të marrin masa vetë për këtë rast, por mungesa përvojës në këso situatash ua kishte pamundësuar që të ndalojnë këtë zjarr.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore