Kosova

Zjarri u afrohet shtëpive në Prevallë


Zjarret vazhdojnë të përhapen në bjeshkët e Prevallës, derisa në pamje shihet se flakët iu kanë afruar zonave të banimit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Albanian Post se organet e rendit  janë vënë në ndihmë të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente.

“Bashkë me zjarrfikësit në ndihmë për shuarjen e zjarrit në Prevallë kanë shkuar edhe disa vullnetarë”, tha Bytyqi.

Ndërsa shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, erërave të forta dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me automjete përkatëse për shuarjen e zjarreve.

Ndërkaq komunat e Prizrenit ka njoftuar se pritet të intervenohet nga ajri, meqë zjarri në Prevallë nuk është arritur të shuhet në tërësi për shkak të terrenit të vështirë.

“Zjarrfikësit e kanë bërë brezin e sigurisë dhe sipas informacioneve do të intervenohet nga ajri”, ka njoftuar komuna.

Megjithatë, deri mbrëmjen e së hënës, zjarrfikësit nuk kanë arritur që t’i lokalizojnë zjarret që kanë nisur qysh herët.

Ndryshe, një zjarr i madh është përhapur në pyjet e Oshlakut javën e kaluar, përkatësisht më 5 gusht, ndërsa Parku Kombëtar “Sharri”, më 8 gusht, ka bërë thirrje publike që institucionet të reagojnë sa më parë.

Në pamundësi të intervenimit nga toka, ndihmë për intervenim nga ajri i është kërkuar edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

Sharri është Parku i parë Kombëtar i shpallur në Kosovë, në vitin 1986. Ai menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe të disa ligjeve mbështetëse, që kanë të bëjnë me mjedisin, natyrën dhe pyjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore