Paris 2024

Sahit Prizreni, medalisti i heshtur i artë i Shqipërisë


Sahit Prizreni ka qenë, ndoshta, emri më pak i përmendur gjatë ditëve të fundit teksa Shqipëria festoi dy arritje në Lojërat Olimpike të Parisit 2024.

Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, dy rusë, të natyralizuar në shqiptar, i dhanë Shqipërisë medaljet e para në Lojëra Olimpike edhe pse vendi garon që nga viti 1972.

Fillimisht ishte Valiev që mori medaljen e bronzit, me mundësin që mund të kishte arritur më shumë nëse një vendim disi i dyshimtë i arbitrave vendosi kundër tij në çerekfinale.

Një ditë më pas ishte radha e Dudaev-it, i cili mori gjithashtu medalje bronzi. Ndërsa, Zelimkhan Abakarov nuk pati paraqitjen që do të kishte dëshiruar në këto Lojëra, duke u mundur në çerkfinale dhe duke mbyllur aventurën e tij në Paris.

Megjithatë, dy medaljet e bronzit janë një shenjë e mirë për sportin shqiptar, i cili prej vitesh me radhë vuante nga largimet e talenteve, mungesa e seriozitetit, apo dhe fondet.

Ato medalje të fituara, sigurisht që fillimisht janë meritë e dy sportistëve Valiev – Dudaev. Mirëpo, Sahit Prizreni, kreu i Federatës Shqiptare të Mundjes (FSHM) meriton “medaljen e artë” për atë çka ka sjellë.

Ka qenë Prizreni, i cili u vendos në krye të FSHM-së në ditët e saj më të këqija, ai që bëri të mundur rilindjen e kësaj disipline sportive në Shqipëri.

Dhe, kur u vendos në krye në vitin 2020, ai deklaronte: “Do të sjellë atë që kam sjellë ndër vite me energjinë, punën dhe përkushtimin”.

“I hyra kësaj pune se e kam pasion, është obligim por edhe përgjegjësi ndaj këtij komuniteti”, tha asokohe Prizreni.

Fjalë të cilet u vunë në zbatim dhe tani po sjellin rezultate, pasi vitet e fundit, mundja ka qenë një nga federatat me më shumë arritje ndërkombëtare.

Rregullimi i situatës në federatë, zhvillimi dhe deri te “grabitja” e mundësve nga Rusia janë arritjet e Prizrenit. Njeriut që qëndron pas perdeve në fitim e dy medaljeve të bronzit në “Paris 2024”.

Ekipi shqiptar i mundjes

Disa kohë pasi u zgjodh në krye të FSHM-së, Prizreni prezantoi dy afrime nga Çeçenia, Dudaev-in dhe Abakarov-in.

Sigushtë, në munges të prodhimeve vendase, mundja shqiptare duhej të forcohej për të qenë aty ku e kishte vendin.

Historikisht, mundja ka qenë një sport i dashur dhe i praktikuar në Shqipëri. Por, pas disa vitesh rënie, ajo kishte nevojë për një shtysë, qoftë kjo për t’i kujtuar të rinjve se ajo është një alternativë për këdo dhe kushdo mund të arrijë majat, apo për t’i treguar botës se Shqipëria është ende e fortë në këtë sport.

Mirëpo, në afrimin e dy mundësve çeçen, Prizreni ka treguar “nuhatjen” e tij për elementet e talentuara. Para se të mbërrinin në Shqipëri, Abakarov dhe Dudaev ishin dy të rinj të talentuar, që pasi garuan nën flamurin kuq e zi dhe u bënë pjesë e FSHM-së, ata arritën majat.

Abakarov, nën flamurin kuq e zi, ka arritur të fitojë 12 medalje: shtatë të arta, mes të cilave kampion bote (2022), tre të argjendta, dy në evropian (2023, 2024), si dhe dy të bronzta, ku një erdhi në kampionatin botëror (2023).

Dudaev, nën flamurin kuq e zi, ka arritur të fitojë 10 medalje: katër të arta, mes të cilave kampion evropian (2024), një të argjendtë dhe pestë të bronzta, mes të cilave ajo e “Paris 2024” dhe Kampionat Evropian (2022).

Në rastin e Valiev-it, askush më mirë se vetë Prizreni nuk mund ta përshkruajë afrimin e tij te Shqipëria: “Vjedhje ndaj shtetit rus”.

Valiev ishte një nga sportistët më premtues të Rusisë, i cili kishte shumë medalje në vendin e tij dhe madje kampion bote për U-23.

“Ajo që mund të them është se kemi bërë një punë fantastike, do ta quaja një ‘vjedhje’ ndaj shtetit rus. Merrni një sportist të shkëlqyer vetëm 25 vjeç. Një mundës shumë premtues, të cilin do ta quaja një sportist model, duke parë dëshirën, disiplinën, talentin dhe cilësitë që ka”, tha Prizreni asokohe.

Dhe, edhe në këtë rast, “nuhatja” e Prizrenit nuk zhgenjeu. Valiev, ka fituar Tirana Grand Prix 2024 dhe medaljen e bronztë në Paris. Por, ky është vetëm fillimi.

Ekipi shqiptar i mundjes në Paris

Dy medalje bronzi, të parat në historinë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike, dhe shumë të tjera në Kampionate Botërore, Evropiane dhe më gjerë, vijnë falë punës së madhe të Sahit Prizrenit, i cili pasi nderoi flamurin kuq e zi si sportist, tani po e bën atë si një drejtues.

Në fjalën e tij, pasi ekipi olimpik shqiptar mbërriti në Tiranë pas Lojërave, Prizreni u shpreh, ndër të tjera, se “ky është një gëzim i madh, fakti që është historike, këtë moment e bën fantastike. Jam shumë krenar, kjo është një ëndërr që kam dashur ta realizoj”.

“Përulje dhe mirënjohje për këdo që nderon flamurin kombëtar. Uroj që mos jetë hera e fundit që ne mblidhemi. Është punë e një ekipi të bashkuar dhe mendoj se sot duhet të gëzojmë”, theksoi Prizreni.

Teksa dyshja Valiev – Dudaev i kanë dhënë Shqipërisë dy medalje olimpike, Prizreni, kreu i FSHM-së, arkitekti i kësaj arritjeje të rëndësishme për sportin shqiptar, veçanërisht mundjes, është “medalist i artë”.

Ndonëse nuk ka një medalje të artë fizike, për ta varur në qafë, puna e tij e madhe e meriton një të tillë.

Tani, është koha për t’iu gëzuar arritjeve. Për “pak kohë”, pasi përgatitjet për Lojërat Olimpike “LA 2028” fillojnë së shpejti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore