Paris 2024

Chermen Valiev i jep Shqipërisë medaljen e parë olimpike në histori


Pritjes i ka ardhur fundi. Chermen Valiev, mundësi i cili garon për Shqipërinë, i ka dhënë vendit medaljen e parë olimpike në histori, një bronz i çmuar në sportin e mundjes së lirë.

Kështu, Shqipëria zyrtarisht del nga një shterpësi olimpike ndër dekada dhe nuk është më pjesë e atij grushti vendesh, të cilët nuk kanë marrë asnjë medalje në historinë e tyre.

Valiev kreu një ndeshje të qetë kundër mundësit nga Taxhikistani Viktor Rassadin, ku e mundi këtë të fundit me rezultatin 6 me 2.

Duke kaluar në epërsi në minutat e para, për shkak të një penaliteti që mori Rassadin, Valiev më pas filloi të kontrollonte ndeshjen dhe e ço shpejt rezultatin në 4 me 0.

Mundësi taxhik u zgjua gjatë pjesës së dytë dhe i mori garuesit shqiptar një dypikësh, duke u rikthyer në ndeshje.

Por, qetësia e admirueshme dhe durimi i Valiev i dhanë atij gjithë armët për të mposhtur kundërshtarin, kur nga një pozitë tejet e vështirë, ai arriti që të nxirrte kundërshtarin jashtë rrethit dhe mori një pikë tjetër të çmuar.

Pas një rishikimi të kërkuar nga ekipi taxhik, u verifikua se pika e Valiev qëndronte dhe atij iu dha edhe një pikë tjetër e vlefshme, duke e vulosur rezultatin në 6 me 2 me pak sekonda të mbetura në tabelë dhe me qetësinë olimpike të tij për ta mbyllur takimin pa pasur më nevojë për sforcime.

Ky bronz megjithatë, mund të kishte qenë edhe më shumë, pas një ndeshjeje shumë të kundërshtuar çerekfinale, të cilën Valiev e zhvilloi më 9 gusht, ku ai është mundur nga garuesi i Uzbekistanit, Razambek Salambekovitch, me vendim gjyqtarësh 6-5 në “Champ-de-Mars Arena”.

Një reagim tejet të ashpër e ka pasur lidhur me rastin edhe Federata Shqiptare e Mundjes, ku e ka quajtur një padrejtësi të madhe gjykimin që i është bërë Valievit nga gjyqtarët e takimit.

Federata Shqiptare pretendon se ka pasur shkelje të hapura dhe vendime të padrejta në këtë ndeshje, të cilat e kanë penalizuar Valievin.

Madje, sipas Federatës, nuk bëhet fjalë thjesht për “padrejtësi të vogla”, por këto të bëra ndaj Valiev, janë të mëdha dhe kushtëzuese.

Sipas reagimit, Valiev në ndeshjen çerekfinale, në sekondat e fundit ka humbur me një vendim te padrejtë të gjyqtarisë, 6-5 në favor të mundësit nga Uzbekistani, ku ndeshja ishte terësisht e dominuar nga Valiev, por pa mundur të marr fitoren e mohuar.

“Me kaq guxim të madh dhe kaq haptazi, dje vodhën finalen nga sportisti ynë dhe ëndrrën tonë dhe të tij, për medaljen historike”, vijon Federata. “Ky diskriminim në këtë event sportiv me rendësi kaq të madhe lë realisht për të dëshiruar. Vjedhje!”.

Gjithsesi, ajo çfarë mbetet është bronzi i pari shqiptar historik, i cili mban tashmë emrin e Chermen Valiev.

Një shans për të marrë një tjetër bronz e ka edhe garuesi shqiptar Islam Dudaev, i cili mund të marrë bronzin në kategorinë e tij më 11 gusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore