Paris 2024

Paris 2024: Valiev mundet në çerekfinale


Mundësi që përfaqëson Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, Chermen Valiev është mundur në çerekfinale.

Valiev u mund nga rivali uzbek, Razambek Salambekovitch Jamalov, me vendim gjyqtarësh 6-5 në “Champ-de-Mars Arena”.

Megjithatë, gara mund të mos ketë përfunduar për Valiev-in, nëse mundësi nga Uzbekistani, Jamalov kalon në finale. Në këtë rast, sportisti kuqezi do të ketë një shans për tu ndeshur për medaljen e bronzit.

Më herët, Valiev-i kishte mundur rivalin nga Azerbajxhani, Turan Bayramov 4-3 me pikë.

Valiev mundet në çerekfinale, aty ku u eliminua edhe mundësi tjetër kuqezi, Zelimkhan Abakarov, ditën e djeshme, 8 gusht.

Islam Dudaev, i cili garon nesër më 10 gusht, do të jetë sportisti i fundit i Shqipërisë në Lojërat e Parisit, dhe shpresa e fundit për një medalje nëse nuk ndodh mrekullia me Valiev-in.

Kujtojmë se Shqipëria dërgoi tetë sporistë në Lojërat Olimpike të Parisit, katër prej të cilëve të kualifikuar dhe katër me ftesë, por rezultatet deri më tani kanë qenë tepër zhgënjyese.

Abakarov në mundje, Luiza Gega dhe Franko Burraj në atletikë, Kaltra Meça dhe Grisi Koxhaku në not, si dhe Manjola Konini në qitje kanë garuar tashmë në “Paris 2024”.

Sporti shqiptar ka dështuar në gjenezë – shpresa e fundit, në duart e të ‘huajve’

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore