Kosova

KFOR-i paralajmëron se “s’do të hezitojë” të merret me secilin zhvillim që mund të cenojë sigurinë dhe stabilitetin


Ilustrim

Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) deklaroi në një komunikë për shtyp se ushtarët e misionit ishin në terren dhe kryen patrulla përgjatë kohës së zhvillimit të protestes së pjesëtarëve të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut, në afërsi të urës mbi lumin Ibër, hapjen e së cilës e kundërshtuan të mërkurën serbët lokalë që përbëjnë shumicën në veri të Kosovës.

“Trupat e KFOR-it ishin në terren dhe kryen patrulla në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë. Protesa vazhdoi pa ndonjë ndërprerje të raportuar apo shqetësime sigurie – KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së, për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

KFOR-i ndër të tjera paralajmëroi se “nuk do të hezitojë” që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përfundimit të protestës atje, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb të marrin pjesë të enjten në diskutimet në Mitrovicën e Veriut, në të cilin nënvizoi se mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit institucionalë dhe institucionet e Kosovës.

“Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, tha ai.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para, dhe pas misionit të Bashkimit Evropian (BE) për sundim të ligjit (EULEX). E megjithë kundërshtimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, autoritetet në Kosovë janë të vendosur ta hapin urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila aktualisht ndan qytetin e Mitrovicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore