Kosova

Ish-ushtari i UÇK-së deri më 16 gusht në arrest shtëpiak në RMV – çfarë pastaj?


Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, do të qëndrojë deri më 16 gusht në arrest shtëpiak në Maqedoni të Veriut dhe pas kësaj gjykata duhet të vendos nëse ndaj tij duhet të nis procedura e ekstradimit apo do të lihet i lirë.

“Ndërpritet masa e paraburgimit ekstradues ndaj personit Blerim Ramadani nga Republika e Kosovës e caktuar me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake më 18 korrik 2024. Masa e paraburgimit prej 30 ditësh konsiderohet nga data 17 korriku deri më datën 16 gusht 2024. Masa e paraburgimit ekstradues ndërpritet dhe caktohet masa e arrestit shtëpiak”, ka njoftuar Gjykata Penale në Maqedoninë e Veriut.

Në fund të muajit të kaluar, Valbona Ramadani, bashkëshortja e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerimit, të cilin autoritetet e Maqedonisë së Veriut e arrestuan në bazë të një fletarresti të Serbisë më 17 korrik, pati thënë se pret angazhim më të madh të institucioneve për mos ta lejuar ekstradimin e burri të saj në Beograd për shkak të akuzave të fabrikuara nga shteti serb.

“Burri e ka mbrojtur vendin dhe shtëpinë e vet. Ne kemi pritur që të lirohet për disa ditë, por për këtë vendos shteti i Maqedonisë së Veriut. Duhet ta ngrisim zërin sa më shumë e gjithë Kosova, siç bëri Blerimi në një kohë për ne, i cili la jetën rinore për të marrë ne sot aromë lirie”, theksoi Ramadani për Albanian Post.

Por, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, kishte potencuar muajin a kaluar se pret që autoritetet maqedonase t’ia ekstradojnë shtetit serb Ramadanin.

Ramadani ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore