Kosova

Një muaj paraburgim për burrin që dyshohet se vrau gruan në Graçanicë


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Një muaj paraburgim është caktuar ndaj të pandehurit D.Zh i cili akuzohet për veprën “vrasje e rëndë”, si i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në Graçanicë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave.

Gjykata ka arsyetuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se i njëjti nëse ndodhet në liri mund ta pengoj rrjedhën e procedurës penale.

“Ekziston rreziku i arratisjes dhe i asgjësimit të provave, si dhe ndikimi në dëshmitarë, prandaj masa e paraburgimit është e vetmja mënyrë për të siguruar një procedurë të pa penguar,” thuhet në njoftimin e gjykatës

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur e tronditur nga lajmi i ngjarjes që ka ndodhur në Graçanicë, ku një grua ka humbur jetë pasi bashkëshorti i saj e kishte rrahur dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda.

“E tronditur thellësisht nga lajmi i një tragjedie të ndodhur në Graçanicë. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen tragjike të jetës së 41-vjeçares nga Graçanica”, ka shkruar Haxhiu të premten.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rasti është ri-kualifikuar si “Vrasje e rëndë”.

E ndjera në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ishte dërguar dy ditë më parë ndërsa ka ndërruar jetë të premten.

Edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka reaguar gjatë ditës mbi ngjarjen.

Në reagim ishte thënë se mbështet autoritetet e Kosovës drejt parandalimit të dhunës kundër grave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore