Paris 2024

“Khelif është një motër”: Algjeria mbron boksieren e saj interseks, marrëdhëniet diplomatike me Italinë janë në rrezik


Të paktën tani për tani, nuk përmendet Italia, e cila deri më sot ka qenë partnere e natyrës ekonomike: Algjeria u bë, pas fillimit të luftës në Ukrainë, furnizuesi i parë i saj me gaz natyror, duke zëvendësuar Rusinë.

Por një partner edhe i natyrës politike: Algjeria me Romën mbetet i vetmi kanal diplomatik i hapur me Perëndimin në mbrojtje të aspiratave të sahravitëve, kundër sovranitetit maroken mbi Saharën Perëndimore të njohur nga SHBA-të, Spanja dhe Franca.

Kështu, Algjeri nuk shqipton shumë fjalë kundër “miqve të tij italianë”, por qëndron i bashkuar pas boksieres së tij, Imane Khelif, e cila vuan nga hiperandrogjenizmi dhe që në këtë moment është në qendër të polemikave në Lojërat e Parisit.

Pak orë para takimit me Angela Carinin, Komiteti Olimpik Algjerian kishte denoncuar si “gënjeshtra krejtësisht të padrejta” dhe Federata Kombëtare e Boksit “propagandën e rreme dhe sjelljen imorale ndaj kampioneshës tonë nga disa media të huaja”.

Ministri i Sportit, Abderrahmane Hammad, e cilësoi në një postim në X si “vajza, motra dhe kampionia jonë. Dënoj ashpër furinë mediatike, viktimë e së cilës ajo është. Imane, e gjithë Algjeria është pas teje”.

Faqja e internetit Algerie360, një media me ndikim në vend, kujtoi mbrëmë se “populli algjerian, në tërësi, ka shprehur solidaritet me boksieren, duke e bërë atë një simbol kundër diskriminimit”.

Duhet kujtuar se Algjeria nuk njeh tranzicionin gjinor, kriminalizon homoseksualitetin dhe qeveriset nga një regjim autoritar, por nga ana tjetër për algjerianët Imane është grua dhe kjo është.

Në rrjetet sociale ka postuar foto të saj si fëmijë, një vogëlushe e buzëqeshur.

25 vjeçare, me origjinë nga Tiaret, në Algjerinë veriore, ajo pranoi se kishte luftuar “kundër paragjykimeve të një rajoni konservator, ku gratë nuk mund të bënin boks”.

Për më tepër, ajo vjen nga një familje e varfër: Imane, me sjelljet e saj të mira dhe qetësuese, është kthyer në një mit, një simbol guximi.

Dje, pas përleshjes, ajo tha: “Falënderoj popullin algjerian. Tani shpresoj të fitoj medaljen e artë”.

Mbështetja për boksieren është 360 gradë.

Khaled Drareni, përfaqësues në Algjer i Reporterëve pa Kufij, i cili u burgos për 11 muaj për punën e tij si gazetar gjatë protestave të Hirakut, postoi në X: «Një fashist si Salvini do të preferonte Lojërat Olimpike të Hitlerit, të rezervuara ekskluzivisht për të bardhët, në mënyrë të neveritshme tipike për mbrojtësit kolonialistë të pastërtisë racore”.

Për të nënvizuar, një rastësi: pardje, kur çështja tashmë po fryhej, Eni (ndërmarrja e hidrokarbureve italiane) nënshkroi një marrëveshje me Sonatrach dhe Sonelgaz, dy gjigantë publikë të hidrokarbureve në Algjeri, për ndërtimin e një gazsjellësi të ri direkt përmes Sardenjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore