Kosova

Tallava


Donika Gervalla dhe Vjosa Osmani

Dy gratë me pushtetin më të madh në Kosovë, dikur bashkëpunëtore të afërta – brenda një subjekti politik – të veshura me kostumin e pushtetareve, raportet e tyre kanë prekur fundin.

Diferencat e thella dhe përplasjet e mëdha mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë më se të qarta edhe për publikun e gjerë.

Madje nuk po mungojnë as ofendimet mes tyre.

Për ta “dissiratur” (term që njihet në botën e hip-hopit) njëra tjetrën, për të treguar krisjet e mëdha mes tyre, Gërvalla dhe Osmani kanë zgjedhur këngët e këngëtares së mirënjohur shqiptare Dafina Zeqiri.

Si nisi përplasja?

Ishte Gërvalla që e filloi serinë e “kunjave” me Osmanin, të martën, për të marrë përgjigje edhe më brutale vetëm një ditë nga ish-kryetarja e saj.

Në një organizim në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për nder të mërgimtarëve, Gërvalla derisa përmedi emrin e presidentes, tha se kënga “llafe llafe” e Dafina Zeqirit është kënga e Osmanit.

Përderisa thumboi Osmanin, ajo, kryeministrin Albin Kurti e quajti “super-star”.

“Para se të kalojë te këngëtari i ardhshëm, pasi këndoi Dafina, këndoi këngën e presidentes ‘llafe, llafe'”, ka thënë Gërvalla të martën.

Por, përgjigjen e drejtëpërdrejtë, përmes po të njejtës këngëtare, Gërvalla do ta merrte vetëm një ditë më pas, të mërkurën.

Këtë e bëri në një konferencë për media, pas takimit që pati me krerët e partive politike, ku u diskutua për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Me ‘t’kast”, ishte kënga e Dafina Zeqirit, e cila është publikuar së fundmi në bashkëpunim me rap-artistin Mozzik, që është një përpunim i këngës së këngëtares Gili, që Osmani iu përgjigj kryediplomates.

Ajo edhe i citoi disa pjesë të këngës së Zeqirit si “mjeshtër i gabimeve” e “përsëritës i gabimeve”, duke ia atribuuar drejtpërdrejtë Gërvallës, duke e përshkruar atë si një “mashtruese”.

“Nuk e kom pa, po u dashka me gjet edhe me pa”, tha fillimisht Osmani pasi u pyet nga gazetarët. “Nuk do të komentoja raporte, por kemi dallime në qëndrime dhe janë të qarta dhe publike”, shtoi.

“Nëse doni me vazhdu pak me këngë të Dafinës, e ka një të re ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Përndryshe, Dafina një përkrahëse e fuqizimit të gruas dhe kauzës së barazisë gjinore”, deklaroi presidentja.

Por, as Osmani dhe as Gërvalla nuk kanë treguar arsyet e kësaj ndarje mes tyre, vetëm kanë kritikuar dhe ofenduar njëra tjetrën përmes Dafina Zeqirit, duke përdorur këtë të fundit si trampolinë në betejë.

Gërvalla në zgjedhjet e fundit kishte garuar nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje, si pjesë e Listës “Guxo” të Vjosa Osmanit.

Tani kjo parti, që zyrtarisht u themelua pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, udhëhiqet nga Gërvalla, e cila është bashkëkryetare me Faton Pecin.

Ndonëse kishte qëndruar politikisht me Osmanin, tani Gërvalla nuk ka asgjë të përbashkët me Osmanin në kuptimin politik.

Ajo është rreshtuar qartazi me Kurtin, dhe kjo mund të shihet në të gjitha temat kur presidentja dhe kryeministri kanë pasur “përplasje”.

Të mërkurën, përveç kthimit të “disit” ndaj Gërvallës, me tone me të buta, Osmani foli edhe për përplasjet me Kurtin, për të cilin theksoi se gjatë tri viteve të fundit është takuar me të për t’i diskutuar qëndrimet në dialog, duke bërë me dije se ka pasur tema që ka pasur tema që nuk është pajtuar as me të.

“Ka tema që nuk jemi pajtuar dhe jemi pajtuar. Unë mendoj që është normale që nganjëherë që sa i përket qasjes që e përdorim në diskutime mos ta kemi identike. Nuk jemi njeriu i njëjtë, jemi njerëz të ndryshëm”, potencoi Osmani.

Sa i përket përplasjes në mes të Osmanit dhe Gërvallës ka kohë që është raportuar, mirëpo kjo e fundit vazhdimisht e kishte mohuar.

Madje, këtë e kishte bërë edhe pasi që presidentja e vendit kishte indinjatën e saj me Qeverinë e Kosovës për arsye të mos-koordinimit paraprak për letrën që kryediplomatja ia dërgoi Këshillit të Evropës për çështjen e Asociacionit.

Gërvalla kishte thënë se përmes mediave ka kuptuar që Osmani ka një qëndrim tjetër rreth kësaj letre, e cila sipas saj, është dërguar në Këshillin e Evropës pa koordinim paraprak me Zyrën e Presidentes për “shkaqe objektive” brenda një kohe “shumë të shkurtër” dhe në “koordinim me akterë të ndryshëm ndërkombëtarë”.

“Akterë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë dashur të shfrytëzojnë këtë mundësi, si një mundësi 90 me 10, pra nëse 90 për qind nuk funksionon, unë kam qenë e gatshme qoftë edhe 10 për qindshin e mundësisë ta shfrytëzojë me qëllim që të kemi sukses, suksesin nuk e patëm letra humbi vlerën e saj edhe nuk është diçka që e ka dëmtuar shtetin as strategjinë tonë”, vlerësonte ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore