Vende

Shiroka, nominohet për çmime prestigjioze të arkitekturës


Nëse jeni në kërkim të një vendi i cili ju mahnit me det, natyrë, liqen, kulturë , histori, Shkodra është vendi tipik i këtij rasti.

Ajër i pastër, mal dhe bukuri e pakrahasueshme mund të gjendet vetëm 6km larg Shkodrës në Shirokë.

Shiroka një zonë peshkatarësh, por dhe jo vetëm

Në këtë fshat mudn të bësh shumë gjëra. Shiroka ka qenë një fshat peshkatarësh, emri i të cilit ka ardhur nga shenjtori Shën Rroku i Montpeliesë, ndihmës i të sëmurëve me murtajë.

Në nder të tij është ngritur edhe kisha e Shën Rrokut ku festohet edhe dita me të njëjtin emër. Ndërsa 6 km më tej, në pjesën veriperëndimore të liqenit, ndodhet fshati Zogaj.

Meqenëse kjo pjesë e bregut të Liqenit është vend kurativ, me mikroplazhe të ndërtuara  mbi zhavorret, ajo ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e vizitorëve të ndryshëm, sidomos të qytetarëve të Shkodrës në ditët e nxehta të verës.

Duke parë gjithë këto vlera, edhe mbreti i dikurshëm i shqiptarëve, Ahmet Zogu, pati ngritur në Shirokë një rezidencë verore.

‘Qilimi Shqiptar’ dhe nominimet e rëndësishme.

Shiroka të ofron variacione, pasi mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me varkë apo të ngjiteni në mal, apo edhe të pedaloni. E sidomos tani me pedonalen e re, e cila ka nxjerr në pah edhe më tepër bukuritë e zonës.

Me siguri një ndër bukuritë që do ju tërheqë vëmendjen do të jetë edhe mozaiku i shtruar me motive të qilimit, një ftesë për të hyrë në traditën e zonës.

Në fakt për banorët dhe vizitorët pedonalja është qendra, sepse të gjitha rrugicat e shtëpive të nxjerrin aty. Investimet e viteve të fundit, kësaj zone i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla duke e kthyer në një vend të denjë jo vetëm për të kaluar një ditë ndryshe.

Së fundmi “Qilimi shqiptar”, në sheshin e ri në Shirokë frymëzuar nga identiteti kulturor i zonës nominohet për çmimin prestigjioz të arkitekturës botërore “Mies Van Der Rohe Award”.

Projekti i rikualifikimit urban të Shirokës, e ka kthyer në qendër turistike, argëtuese dhe të pasur në aktivitete sociale në shërbim të komunitetit.

Fshati Shirokë, sot lagje e qytetit, e pasur me kulturë dhe me histori qindra vjeçare, është magjepse, dhe mbetet një krenari e dashuri më vete për Shkodranët.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore