Kosova

Kurti e falënderon Blairin për “mbështetjen e palëkundur” gjatë luftës në Kosovë


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25 vjetorin e përfundimit të fushatës së NATO-së, që kishte ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë është takuar me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, të cilin e ka falënderuar për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës.

“Kryeministri e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar dhe z. Blair për ndihmën dhe kontributin në çlirimin e Kosovës, rolin e tij të rëndësishëm dhe mbështetjen e palëkundur gjatë luftës në Kosovë, e cila çoi në çlirimin e vendit nga pushtuesit serb dhe përkrahjen në etapat e shtetndërtimit të vendit tonë”, thuhet në komunikatën të cilën e ka dërguar Zyra e Kryeministrit.

Ai tutje tha se “udhëheqja” dhe “vendosmëria” e Blairit ishin vendimtare në mbledhjen e mbështetjes ndërkombëtare si dhe për të siguruar që drejtësia dhe paqja të mbizotëroj.

“Populli i Kosovës do ta kujtojë dhe do të jetë mirënjohës përherë për përkushtimin tuaj për drejtësi dhe paqe”.

Në komunikatë thuhet se Kurti dhe Blair, kujtuan gjithashtu ngjarjet më të rëndësishme që kulmuan me lirinë e Kosovës.

“Duke diskutuar vendimet dhe veprimet kritike të marra gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, të cilat ishin kyçe në përfundimin e luftës dhe sigurimin e paqes”.

Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me ç’rast është thënë se Kurti e njoftoi me progresin e arritur, duke konsideruar se Kosova është demokracia më e përparuar e rajonit dhe me rritjen më të madhe ekonomike.

—————————————————————————————————————–

Kurti nis takimin me Blairin                             

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, ka nisur takimin me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

Ky takim është duke u zhvilluar pa praninë e mediave në objektin e Qeverisë.

Ish kryeministri britanik, do të ketë takim edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, me këtë rast, atij do t’i ndahet “Çelësi i qytetit”.

Para këtyre takimeve, ai është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka mbajtur një konferencë për media si dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Blair, ka deklaruar se ndërhyrja e aleatëve të NATO-s në vitin 1999 ka qenë e nevojshme dhe se ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës është dëshmi e kësaj, prandaj nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të vështira.

Blair ka kujtuar të rënët për liri, udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës, posaçërisht presidentin historik, Ibrahim Rugova, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe aleatët e NATO-s nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke shprehur mirënjohje të përjetshme për të gjithë ata që kontribuuan në jetësimin e idealit shekullor të shqiptarëve të Kosovës.

Blair, i cili për shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ish-kryeministër britanik, ka shtuar ndër të tjera se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian (BE).

Ai u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur ta bëjnë këtë: “Kjo është pse kemi shtrirë dorën tonë para 25-vjetësh”.

Ndryshe, ndërhyrja humanitare e NATO-s më 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, përkundër se përbente rastin e parë në histori që NATO-ja ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian.

Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërsa lufta në Kosovë pas 14 muajve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore