Lajme

Gjermani/ Markus Söder futet në garën për kancelar


Gara për zëvendësimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, është ndezur pas lajmit se Markus Söder, kreu i Unionit Kristian Social (CSU), simotër e Unionit Kristian Demokrat (CDU), do të konkurrojë për postin e pasardhësit të Merkelit.

Alenanca me partinë e Söder-it ka qenë e pranishme gjatë gjithë mandatit të kancelares në detyrë. Gjithsesi, me marrjen e kontrollit të CDU-së nga Armin Laschet, sinjalet e para u dhanë se Söder-i nuk do të qëndronte duarkryq përpara garës për të marrë drejtimin e superfuqisë evropiane.

Markus Söder është kreu i landit të Bavarisë në Gjermani. “Nëse do të kem mbështetjen e konservatorëve të tjerë gjermanë, jam i gatshëm të garoj”, tha ai të dielën e 11 prillit.

Kjo deklaratë erdhi pikërisht pas bisedimeve midis dy partive aleate mbi çështjet e drejtimit të vendit. Një vendim për një kandidaturë të përbashkët të dy partive pritet të vijë së shpejti.

Garimi do të zhvillohet midis tij dhe Laschet-it. “Të dy jemi të prerë për rolin drejtues dhe do të kërkojmë mbështjetje”, shtoi Söder-i në deklaratën e tij.

Nga ana tjetër, Laschet-i tha se “kishte pasur një bisedë të gjatë me Söder-in”. “Jemi të dy të gatshëm të ndjekim udhën drejt Kancelarisë. Ajo çfarë është e rëndësishme, është që të kemi respekt për njëri-tjetrin”.

“Dua ta mbyll me diçka shumë të rëndësishme. Kushdo të jetë fitues, në fund të ditës do të punojmë të dy për të mirën e vendit”, përmbylli Laschet-i.

Në përgjithësi, kreu i CDU-së është ai që shpallet kandidat kryesor, për shkak se kjo parti zotëron mbështetje më të madhe në popull. Por, sipas sondazheve, deri tani Söder-i është në avantazh.

Angela Merkel ndërkohë, ende nuk ka shprehur mbështetjen për asnjë nga kandidatët. Nuk dihet nëse kancelarja në largim do të dalë hapur pro dikujt apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore