“Rruga nëpër të cilën po ecën qeveria e [Albin] Kurtit në planin afatgjatë, kam frikë se kjo mund të mos jetë e mirë në interesin e Kosovës, për afrimin me Bashkimin Evropian”, ka thënë Manuel Sarrazin.
Këto komente, i Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor i ka bërë në një intervistë për “ABCnews Albania”, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe qasjen që kreu i ekzekutivit kosovar e ka në këtë proces.
“Kam frikë se kjo mund të çojë në një drejtim të mbështetjes tek vetja dhe humbjes së mundësive për të shkuar drejt BE-së”, deklaroi Sarrazin.
Deklaratat e diplomatit gjerman vijnë në një kohë kur vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës, kanë shkaktuar fërkimin e radhës në mes të ekzekutivit kosovar dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, kanë kritikuar qeverinë e Kurtit për, siç kanë thënë ata, moskoordinimin me ta lidhur me çështjen e dinarit serb.
Madje, SHBA-të kanë theksuar se ky vendim ka afektuar raportet në mes të dy vendeve respektive.
Ndërkombëtarët janë duke kërkuar që për çështjen e dinarit duhet të dialogohet në Bruksel.
Në këtë drejtim u thirr një takim nga ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në të cilin, Kosova refuzoi që të dërgojë përfaqësues politikë, në vend të tyre shkuan në kryeqendrën evropiane përfaqësues të BQK-së.
Për dallim nga Kosova, delegacioni serb kishte përfaqësues politik, i kryesuar nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Në këtë takim nuk u arrit ndonjë rezultat.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Me mbi 75% e votave të numëruara “Fronti Evropian” ka 20 mijë vota më shumë se “VLEN”
-
Rama ‘habitet’ me opozitën greke dhe kupton perspektivën e Mitsotakisit për vizitën e tij në Athinë
-
Ahmeti: Jemi fitues me mbi 30 mijë vota, qytetarët janë për anëtarësim në BE
-
Kasami: Nga nesër mund të shpallim koalicionin e ndryshimit me VMRO-DPMNE