Kosova

Reagim brutal i policisë në protestën e PSD-së: Arreston protestuesit, goditen dhe u hidhet sprej syve gazetarëve


Anëtarët e Partisë Socialdemokrate kanë gjuajtur gaz lotsjellës afër hotelit ku po qëndron Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, derisa Policia e Kosovës ka intervenuar duke e arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi, në aksionin e së mërkurës në kundërshtim të Gjykatës Speciale.

Protesta kishte nisur rreth orës 14:00 para Hotel Sirius, ndërkohë që gjyqtarja bullgare tashmë ka nisur diskutimin e saj me gazetarë dhe me përfaqësues së shoqërisë civile në Prishtinë.

Paraprakisht, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë para gazetarëve se sa herë “që Kosova ka qenë më afër Serbisë dhe “afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë”, ka pasur përndjekje të ushtarëve të UÇK-së.

“Sa herë që kanë dashur të barazojnë Kosovën me Serbinë janë përndjekur ushtarët e UÇK-së. Bash tash kur Serbisë nuk po ja kërkojnë njohjen e Kosovës, bash tash kur po ja japin autonominë serbëve të Kosovës, bash tash krerët e UÇK-së janë në Hagë”, tha ai para gazetarëve.

Ndërsa aktivisti Nol Nushi, ka theksuar se “kjo gjykatë është etnike dhe e padrejtë, e për këtë ne sot protestojmë”.

Po ashtu një numër konsiderueshëm i protestuesve kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrime “jeni non-grata”, “UÇK-ja është përpjekja për liri” e “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”.

“Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tanë”, reagon PSD-ja

Partia Socialdemokrate e Kosovës, përmes një reagimi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta lirojë kryetarin e kësaj partie Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistë të tjerë që u arrestuan.

“Në kundërshtim të Gjykatës Speciale, gjatë protestës së PSD janë arrestuar gjashtë aktivistë: Kryetari Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi. Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tonë”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu theksohet se kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për Gjykatën e padrejtë speciale.

“Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezictenca vazhdon. Z. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë”.

Ndryshe, pak ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar vendosi t’ua pezullojë vizitat dhe komunikimet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte, Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka arritur në Kosovë.

Para emërimit si kryegjyqtare në Speciale, nga marsi 2006 deri në mars 2015, Trendafilova shërbeu si gjykatëse e Gjykatëse Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Para detyrës si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ajo punoi si profesoreshë e drejtësisë penale në Universitetin e Sofjes, zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje dhe shërbeu si këshilltare eksperte për standardet e të drejtës penale dhe të drejtat e njeriut në Kuvendin, Gjykatën e Lartë dhe disa ministri të Bullgarisë.

Që nga viti 2016, Trendafilova po e udhëheq Gjykatën Speciale, ku po gjykohen si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e UÇK-së.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore