![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2023/08/piqko.jpg)
Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, i ka fajësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe për aktakuzën që Zyra e Prokurorit të BeH-së ngriti ndaj tij, si dhe ndaj drejtorit të gazetës zyrtare të RS, Millosh Lukiç, nën akuzën për veprën penale për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ku mund të dënohen deri më 5 vite burgim.
Dodik nuk e komentoi personalisht aktakuzën të premten, por zyra e tij pretendoi se ajo ishte “krijim i Ambasadës amerikane në Sarajevë dhe drejtpërdrejt i ambasadorit Michael Murphy si dhe i Britanisë së Madhe dhe BE-së”, madje sipas tyre qëllimi i vetëm i aktakuzës është “të anulojë institucionet e RS të zgjedhura me vullnetin e popullit në zgjedhje demokratike”.
Përveç kësaj, zyra e Dodik-ut potencoi se “populli e krijoi RS-në në gjakun e tij, ndaj nuk do të lejojë askënd t’ia heqë atë”.
Nga ana tjetër, ambasada amerikane në BeH tha se ngritja e aktakuzës kundër Dodik-ut është një hap i rëndësishëm në vendosjen e shtetit të së drejtës në BeH.
“Ligjet e BiH zbatohen për të gjithë qytetarët. Asnjë individ nuk është mbi ligjin. Presim që institucionet e Bosnjë-Hercegovinës dhe të gjithë qytetarët të respektojnë proceset përkatëse të përfshira në respektimin e atyre ligjeve”, thuhet në reagim, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.
Deri më tani, Dodik është përballur me një sërë hetimesh, nga dyshimet për pastrim parash, gjegjësisht blerjen e një vile në Beograd, deri në mohimin e gjenocidit të kryer në Srebrenicë, por asnjëra prej tyre deri më tani nuk ka çuar në një aktakuzë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com