Bota

AstraZeneca do të jetë shtylla kryesore e programeve të vaksinimit


Përdorimi i vaksinës anti-Covid, AstraZeneca, u rrit ndjeshëm të hënën, pasi studimet treguan se ishte e sigurt dhe efektive. Kjo hapi rrugën për autorizimin e saj emergjent, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndërsa në vendet aziatike u përshpejtua shpërndarjen e saj.

Sipas të dhënave, në SHBA, Kili dhe Peru, vaksina ishte 79% efektive në parandalimin e COVID-19 simptomatik tek të gjitha mostrat.

Këtë muaj, pas disa raporteve se kjo vaksinë shkakton mpiksjen e gjakut, shumë vende evropiane ndaluan përdorimin e AstraZeneca-s. Evropianët ishin dyshues se sa e sigurt qe vaksina.

Ndërsa, në Azi udhëheqësit janë përpjekur të rrisin besimin e publikut, duke u vaksinuar të parët me AstraZeneca.

Pas ndërprerjes përkohësisht, për shkak të mungesës së sigurisë, kryeministri i Tajlandës ishte personi i parë në vend që u injektua me vaksinën AstraZeneca.

Indonezia, sakaq, filloi ta përdorë të hënën, pas pezullimit javën e kaluar. Por, Agjencia Indoneziane e Ushqimit dhe Barnave e ka ndaluar përdorimin e saj te njerëzit me probleme të mpiksjes së gjakut.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, 68 vjeç, ka njoftuar marrjen e dozës së vaksinës, ditën e martë.

Sipas të përditshmes Reuters, ngadalësimi i vaksinimit global mund ta dëmtojë luftën kundër Covid-19, i cili ka vrarë mbi 2.8 milionë njerëz në të gjithë botën.

Kompania farmaceutike AstraZeneca ishte ndër të parat që krijoi vaksinën anti-Covid 19.

Kjo lloj vaksine ishte ndër më të lirat nga ato të kompanive të tjera. AstraZeneca do të jetë shtylla kryesore e programeve të vaksinimit në pjesën më të madhe të botës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore