Lajme

Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea për Albanian Post: Qeveria e Kosovës të komunikojë më mirë me serbët lokalë – për tango nevojitën dy persona


Sa ishte në opozitë, kryeministri Albin Kurti, ishte shprehur i gatshëm që sapo të vinte në pushtet do të bënte dialog me serbët e Kosovës “që nuk janë mjete të Beogradit”.

Tashmë, kur janë rritur tensionet në Veri, ish-zëdhënësi i NATO-s, në kohën e luftës së Kosovës, Jamie Shea, thotë për Albanian Post se ka munguar komunikimi i Qeverisë me serbët lokale, përkundër premtimeve të Kurtit.

“Prishtina duhet të komunikojë më mirë me serbët dhe t’i bindë ata se të drejtat e tyre themelore do të respektohen dhe se ata kanë një të ardhme pozitive në Kosovë. Gjithmonë duhen dy persona për tango”, tha Shea.

“Si çdo pakicë, serbët në Kosovë duhet të kenë të drejtat dhe kulturën e tyre të respektuar dhe një shkallë të vetë-administrimit lokal, por jo deri në atë pikë sa ta paralizojnë me Kushtetutë Kosovën ose të bllokojnë përparimin e saj, ashtu siç ka bërë Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Kosova ka të drejtën e sovranitetit të saj dhe të funksionojë si shtet unitar”.

Profesor i Strategjisë dhe Sigurisë, teksa tregon se i ka parë skenat e dhunës në Zveçan të protestuesve ndaj ushtarëve të KFOR-it, është befasuar, meqë potencon se ushtarët e KFOR-it kanë mbrojtur vazhdimisht komunitetin serb.

“Dhuna ndaj ushtarëve të KFOR-it të cilët janë atje në një mision paqësor për të mbrojtur të gjithë banorët e Kosovës, është për të ardhur keq dhe duhet të dënohet me vendosmëri nga Beogradi dhe nga Prishtina dhe siç është bërë ditëve të fundit nga BE-ja dhe NATO-ja. KFOR-i është në Kosovë për të parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur të gjitha komunitetet. KROR-i ka mbrojtur komunitetin serb që nga ardhja në Kosovë në vitin 1999 dhe meriton respektin e tyre”, shtoi ai.

Ai insiston që personat që sulmuan ushtarët e KFOR-it duhet të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.

“Autorët duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë pasi situata në veri të jetë stabilizuar. Kontrollet e duhura kufitare janë të nevojshme për të parandaluar infiltrimin e njerëzve dhe armëve, si dhe punën e mirë të inteligjencës policore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Beogradi gjithashtu duhet të ushtrojë kontroll më të madh dhe BE-ja dhe Europoli duhet të verifikojnë vazhdimisht lëvizjen kundër strukturave paralele”, shtoi ai.

Megjithatë, Shea kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë në qetësimin e situatës dhe rivendosjen e rendit dhe ligjit, “për të penguar dhunën e orkestruar nga Beogradi”.

“Në planin afatgjatë, qeverisja lokale e mirë dhe transparente në veri, duke ofruar shërbime të mira në siguri, shëndetësi dhe arsim, është mënyra më e mirë që komuniteti serb të kuptojë se strukturat paralele nuk u shërbejnë atyre, por vetëm interesave të kriminelëve dhe ekstremistëve që po i manipulojnë ata për përfitime apo qëllime politike”.

Ai shton se me qetësimin e situatës në Veri, duhet të vazhdojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

“Së pari, ne kemi nevojë që serbët të kthehen në polici dhe në administratën shtetërore. Gjëja kryesore në afat të shkurtër është të dënohen ata që dëshirojnë të shfrytëzojnë dhunën si një justifikim për të ndjekur agjendat e tyre politike. Vetëm ata që kërkojnë me të vërtetë de-përshkallëzim të situatës duhet të meritojnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje të plotë midis Prishtinës dhe Beogradit që normalizon marrëdhëniet dhe ndalon Beogradin të përdorë situatën në veri për të ndjekur antagonizmin e tij kundër Prishtinës”, pohoi ai.

Për Shean, zgjidhja përfundimtare mund të vijë vetëm brenda BE-së dhe se Serbia dhe Kosova duhet t’i bashkohen BE-së së bashku në të njëjtën kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore