![](https://albanianpost.com/wp-content/uploads/2023/05/345611154_181737454432091_1906712952779093724_n.jpg)
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, këtë të enjte ka takuar kryetarët e rinj të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e 23 prillit për katër komunat veriore.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të zgjedhur do të jenë në koordinim me Ministrin të cilën ai e drejton për konstituimin e organeve komunale, brenda afatave kohore të përcaktuara me ligj.
“Erdenit, Lulzimit, Izmirit dhe Ilirit i kam uruar përgjegjësinë dhe detyrën e re. MAPL, do të jetë në koordinim me Kryetarët dhe asambleistët e zgjedhur në konstituimin e organeve komunale, brenda afateve kohore të përcaktuara me ligj”, ka shkruar shkurtimisht Krasniqi.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës, të mbajtura të dielën e 23 prillit përfunduan qetë dhe pa asnjë incident, mirëpo siç edhe pritje me pjesëmarrje tejet të ulët.
Ndërsa pesë ditë më vonë zgjedhjet në fjalë u certifikuan nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Në bazë të këtij rezultati, komunën e Mitrovicës Veriut dhe atë të Leposaviqit e kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, respektivisht Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi.
Kurse komuna e Zveçanit dhe ajo e Zubin-Potok janë fituar nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri.
Erden Atiq në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka marrë 553 vota duke lënë pas kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Taluant Kelmendin i cili ka fituar vetëm 193 vota.
Lulzim Hetemi është zgjedhur kryetar i Komunës së Leposaviqit me vetëm 100 vota.
Në anën tjetër Ilir Peci ka grumbulluar 114 vota ndërsa Izmir Zeqiri 197 vota.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com