Aplikacione

Ndalimi i TikTok-ut në pajisjet qeveritare po politizon aplikacionin, sipas ambasadorit kinez


Ambasadori i Kinës në Mbretërinë e Bashkuar ka akuzuar Westminster-in për “shtrirje të tepërt të idesë së sigurisë kombëtare” duke ndaluar TikTok-un në pajisjet zyrtare të qeverisë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ndaloi ministrat të përdorin aplikacionin në telefonat e tyre të punës.

Nëpunësit civilë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar – përfshirë Irlandën e Veriut – që atëherë i janë nënshtruar një ndalimi të ngjashëm.

Lëvizja ishte për shkak të shqetësimeve që qeveria kineze mund të aksesonte të dhënat e ndjeshme.

Zheng Zeguang po fliste gjatë vizitës së tij të parë në Irlandën e Veriut për të nxitur bashkëpunimin ekonomik.

Sakaq, TikTok-u ka mohuar me forcë pretendimet se i dorëzon të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze.

Duke folur gjatë një konference për shtyp në Belfast, Zeguang ka thënë se qeveria kineze respekton privatësinë në ligjet e saj dhe se ishte e gabuar të mos lejoheshin njerëzit të përdorin aplikacionin e mediave sociale.

“Të ndalosh TikTok-un, të ndalosh zyrtarët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ta përdorin atë ose të përshkruash TikTok-un si diçka që kontrollohet nga qeveria kineze është padyshim shtrirje e tepruar e idesë së sigurisë kombëtare dhe politizimit të një kompanie teknike”, ka thënë ai.

Zeguang ka thënë se mendonte se shefi ekzekutiv Shou Zi Chew ia bëri shumë të qartë Kongresit amerikan se kompania ishte “e përkushtuar ndaj sigurisë dhe për t’u siguruar që ata nuk do të shkelin asnjë privatësi të përdoruesve”.

Ambasadori ka shtuar se zyrtarët qeveritarë duhet të përpiqen të kuptojnë platformën si një mjet për “qëndrimin në kontakt me njerëzit”.

“Unë do t’u bëj thirrje politikëbërësve në pozicione në Mbretërinë e Bashkuar që jo vetëm t’i politizojnë çështjet dhe të mos devijohen nga ndonjë vend i tretë”, ka vijuar ai.

Sipas tij, TikTok-u do të vazhdojë të jetë shumë popullor dhe se “duhet t’i vendosim çështjet në perspektivë dhe të përqendrohemi në fakte”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore