Lajme

Kurti refuzon ta pranojë se Vetëmenaxhimi është Asociacioni i vitit 2013, “tash flasim për komunitetin serb, jo komunat”


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Miroslav Lajçak i Bashkimit Evropian ka thënë se Vetëmenaxhimi i komunitetit serb nënkupton saktësisht Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, sipas Marrëveshjes së vitit 2013, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se është ndryshe.

“Në pikën 7 të Marrëveshjes Bazë, thuhet një nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit serb, nuk thuhet komunave”, ka deklaruar Kurti në konferncë për media, duke provuar kështu të sqaroi dallimin që ekziton nga Asociacioni në Vetëmenaxhim.

Në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se marrëveshje gjërat janë të qarta dhe se “komuniteti nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative”.

“Unë e kuptoj që nuk janë tërësisht të ndryshme, të palidhura, po nuk janë e njëjta gjë. E kam thënë në Kuvendin e Republikës, se nga pikëpamja ime e fuqishme, jo thjeshtë e politikës por juridike, kur themi komuniteti serb, atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas këshillit të Evropës, kjo është platforma, ky është regjistri në të cilin kuptohet e angazhohemi për komunitetet e përfshira e atë serb”, tha Kurti.

Ai më tutje shtoi se “nuk i mohojmë asnjëherë që janë bërë 2 marrëveshje nga paraardhësit tonë, por që të dy marrëveshjet janë të cenuara”.

“E para është cenuar nga presidenti i Serbisë, i cili u ka dhënë urdhër strukturave serbe që njëherë inkuadrim në sistemin e Kosovës e më pas për dorëheqje kolektive, e kjo është shkelje e marrëveshjes së vitit 2013. Eshët shkelur edhe pika e 14 e asaj marrëveshje, nëse thuhet se Kosova dhe Serbia nuk e pengojnë njëra tjetrën në integrim në Bashkimin Evropian, e ka shkelur duke dërguar letra vendeve mos njohëse. Marrëveshjen e vitit 2013 nuk e mohojmë që nuk ekziston, por në mënyrë të dyfishtë është shkelur”, shtoi kryeminsitri.

Ndërsa për marrëveshjen e vitit 2015, kryeministri Kurti tha se ajo nuk ka kaluar fillimisht  testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në 23 kapituj.

“Prandaj duhet ti kemi parasysh edhe këto elemente kur flasim për këto marrëveshje”.

“Nuk bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë, as me fjalën Asociacion. Ashtu qysh nuk mund të barazohet fjala popull me fjalën Republikë”, specifikoi Kurti.

Kryeministri, në këtë konferencë para gazetarëve tha se dialogu vazhdon të mos jetë top prioritet për të.

“As për nga vëllimi as për nga intensiteti. Ju nuk e dini se çfarë bëj unë gjithë ditën, por nëse shihni angazhimet për ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, financa, pakicat e tjera, qytetet e fshatrat, komunat, angazhimet ndërkombëtare për marrëdhënie bilaterale me shtetet me të cilat kemi grante, me shtetet që duam të anëtarësohemi, është vëllim gjigant. Nuk është prioritet top, mund tu duket juve, por unë e përjetoj ndryshe”, ka deklaruar Kurti.

“Nëse e shihni për nga angazhimi im ditor e javor, nuk është top prioritet. Unë në vikend isha në Ohër, tash nuk jam në Ohër siç e shihni”.

Për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, Kurti: Tash BE e ka fjalën

“Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazë, Kryeministri i Kosovës tha se tani është koha që bashkimi evropian, si ndërmjetës i këtij procesi të garantoj zbatimin e saj ose të deklarohet nëse ajo nuk zbatohet dhe të vë sanksione për mos zbatuesin.

“Bashkimi Evropian tani duhet të dëshmohet”, tha Kurti në konferencën për medie të mërkurën.

“Ne kemi marrëveshje. Kishim marrëveshje me 27 shkurt, bëmë sërish marrëveshje me 18 mars, njëra në Bruksel e tjetra në Ohër dhe që të dyja janë marrëveshje. Janë konstatuar nga ndërmjetësi Borrell dhe emisari Lajcak se kjo është marrëveshje. Pra BE po thotë se është marrëveshje”.

“Në anën tjetër kemi deklarata e politikës serbe të cilët tregojnë se si nuk e kanë ndërmend të zbatojnë diçka apo se si tashmë po shkelë diçka tjetër.  Por, ne nuk do të mund të merremi me ta, andaj ekziston ndërmjetësuesi. Bashkimi Evropian është ai i cili tash duhet të merret që të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen në terren”.

“Nuk ka kuptim që marrëveshjet të mbesin tekst në letër pa ndryshuar realitetin e qytetarëve përfshirë edhe ato elementet si diploma, simbolet kombëtare, pasaporta, të gjitha janë në marrëveshje dhe duhet të zbatohen”, deklaroi kryeministri.

“Por është ndërmjetësi ai i cili konstaton zbatimin ose mos zbatimin e tyre dhe sanksionet përkatëse. Ndërmjetësi e ka fjalën tash”, përfundoi ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore