Lajme

Irani ekzekuton ish-zyrtarin britaniko-iranian, Alireza Akbari


Shtetasi britaniko-iranian Alireza Akbari, i cili u dënua me vdekje në Iran, është ekzekutuar.

Të paktën kështu ka njoftuar media shtetërore iraniane.

Familjes së Akbarit iu kërkua të shkonte në qelinë e tij për një “vizitë përfundimtare” të mërkurën dhe gruaja e tij tha se ai ishte transferuar në izolim.

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes iraniane u arrestua në vitin 2019 dhe u dënua për spiunazh për Britaninë e Madhe, të cilën ai e mohoi.

Britania e Madhe i kishte kërkuar Iranit të ndalonte ekzekutimin dhe ta lironte menjëherë.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, e kishte përshkruar dënimin me vdekje si një “akt të motivuar politikisht nga një regjim barbar që ka shpërfillje totale për jetën njerëzore”.

Gazeta zyrtare e lajmeve e gjyqësorit iranian “Mizan” raportoi se Alireza Akbari ishte varur, pa specifikuar datën kur ndodhi ekzekutimi.

Irani postoi një video të Akbarit në fillim të kësaj jave duke treguar atë që dukej të ishte rrëfim i detyruar.

Ministria e inteligjencës e Iranit tha se Akbari kishte qenë “një nga agjentët më të rëndësishëm të shërbimit inteligjent britanik në Iran”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore