Lajme

S’ka marrëveshje, Lekiç: Qeveria e Malit të Zi s’do të formohet


Miodrag Lekiç

Mandatari për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, Miodrag Lekiç, nga parlamenti malazez njoftoi se s’do të ketë qeveri të re bazuar në ndryshimet në Ligjin për Presidentin.

Lekiç pas takimit të krerëve të shumicës parlamentare, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje për konstituimin e qeverisë, theksoi se qeverisjen e vendit duhet ta vendosin qytetarët.

“Unë bëra gjithçka publike dhe ky është parimi që u realizua. Unë arrita të ruaj dinjitetin e vendit, që për ekzekutivin të vendosin qytetarët e Malit të Zi”.

“Kam thënë se ose do të ketë një qeveri serioze, ose nuk do të ketë fare. Nuk do të ketë Qeveri dhe le t’ua lëmë qytetarëve që ta interpretojnë vetë se kush ishte serioz”, shtoi Lekiç.

Më 29 dhjetor, Kuvendi i Malit të Zi caktoi Lekiç-in si mandatar për të formuar qeverinë pasi Milo Gjukanoviç nuk propozoi një përfaqësues në bazë të ndryshimeve në Ligjin për Presidentin.

Kujtojmë se pas miratimit të Ligjit për Presidentin, nga disa adresa diplomatike erdhi paralajmërimi se qeveria e formuar në bazë të atyre ndryshimeve do të ishte antikushtetuese.

Ndryshe, Lekiç është profesor, politikan dhe ka shërbyer si diplomat i ish-Jugosllavisë në Mozambik dhe Lesoto. Po ashtu, shërbeu edhe në Itali, Maltë dhe San Marino.

Ai ka qenë kryetar i “Frontit Demokratik” nga viti 2012 deri në mars 2015, ndërsa nga viti 2015 është kryetar i partisë “DEMOS”.

Çfarë ka ndodhur nga gushti e deri më sot

Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç iu votua mosbesimi në gusht, ndërsa në shtator, shumica e re (e vjetër) parlamentare, përkatësisht deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Fronti Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” arritën marrëveshje që mandatar për formimin e qeverisë malazeze të jetë Miodrag Lekiç.

Mirëpo, kur ia dërguan propozimin e nënshkruar nga 41 deputetë Gjukanoviç-it, ai refuzoi të konsultohet me Lekiç-in, me arsyetimin se shumica nuk e ka respektuar afatin kushtetues për propozimin e mandatarit.

Më pas, shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, për të cilat Komisioni i Venecias vlerësoi se nuk janë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa Komisioni Evropian apeloi që të respektohet zëri i ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Gjukanoviç më pas nënshkroi dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin, duke theksuar se ky është obligimi i tij kushtetues, por edhe se me këtë përfundon e gjithë puna e tij, sepse, siç shtoi ai, nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e dispozitave të ligjit, të cilat janë antikushtetuese.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore