Lajme

Lapsusi i Elon Musk me thënien e Alcuin-it, për rikthimin e Trump-it


“Vox populi, vox Dei”.

Kjo ishte shprehja e përdorur nga sipërmarrësi amerikan Elon Musk, për të kremtuar rikthimin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në median sociale “Twitter”.

Fjalë për fjalë përkthehet “zëri i popullit është zëri i Zotit”.

Përmes këtij gjysmë aforizmi, Musk donte të tregonte se sondazhi virtual i shpallur në profilin e tij, vendosi fatin e ‘rikthimit’ apo jo të llogarisë së Trump-it nga vullneti i përdoruesve të Twitter-it.

Termi “vox populi” tingëllon si një lloj thënieje që do të ishte evokuar zakonisht në Republikën Romake.

Por referenca më e hershme e njohur për të barazuar “zërin e popullit me zërin e Zotit” (Vox populi, vox Dei) – në një mënyrë mosmiratuese – i atribuohet studiuesit dhe mësuesit sakson Alcuin.

Në një letër drejtuar perandorit Charlemagne (Karlit të Madh) në vitin 800, ai shkroi: Dhe nuk duhen dëgjuar ata njerëz që vazhdojnë të thonë se zëri i popullit është zëri i Zotit, pasi trazirat e turmës janë gjithmonë afër çmendurisë.

Në këtë mënyrë, sipërmarrësi amerikan tregon se nuk mund ta ndash zakonin e parasë me kulturën. Njëra blihet, tjetra nuk shitet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore